Genc Drini
Pas dy ditësh Kombëtarja Shqiptare ka ndeshjen e rëndësishme me Armeninë. Skuadra ka nevojë për të marrë veten nga një humbje që pësoj në minutat shtesë, ka nevojë për analizë dhe qetësi. Në emisionin televiziv të kësaj të premteje “ZONË E LIRË! të prezantuesit Çani, një djalë tiranas jep sipas tij lajmin e tmerrshëm, fjalën e tmerrshme e përsërit disa herë që fjala të bëjë mirë efektin se : ndeshja me skuadrën serbe “është shitur”! Befason njerëzit në sallë dhe të gjithë shikuesit e emisionit, kudo. Një gazetare sportive e kundërshton me të madhe disa herë, kjo është bisedë kafenesh! “Denoncuesi”, që kishte folur vetë për kafene, nuk jepet, dhe as i kthen përgjigje direkt gazetares. Thotë se nuk mund ta paraqes në organet kompetente sepse nuk më besojnë, se nuk kam argumente që t’i bind, prandaj erdha te Çani që më pranoj të flas. Por unë jam i bindur që ndeshja është shitur se kështu më tha një shok katër orë para ndeshjes në një kafene në Tiranë : “ Mos vë bast për Shqipërinë, sepse është shitur ndeshja, fiton skuadra serbe 2-0. Doja të shkoja në Elbasan, sidoqë nuk kisha biletë, dhe kjo mund të vërtetohej, ndryshova mendje, nuk u nisa. ..Edhe nga Athina më mori një shok dhe më tha: mos ven bast se ndeshja është shitur, 2-0 për serbët! Siç duket disa nga ata që venë baste kanë lidhje dhe në Athinë e kudo! Nis e shpjegon “si ekspert” se bastet kanë lëvizur orët e fundit dhe se është një dorë që i ka vu bastet prej qindra mijëra eurosh. E kështu e kreu sipas tij misionin për të cilin kishte dalur, se “ vërtetoj” çfarë tha…! Djaloshi “tifoz” nuk ngurron dhe jep përfundimet, shton me ngulm që edhe sikur të fitojnë në Armeni, unë nuk shkoj më ta shoh kombëtaren! Na lë të kuptojmë se tash e mbrapa atij aq i bën kombëtarja, po dhe gjithë shqiptarët nuk kanë përse të çajnë kokën më për këtë kombëtare! Pa u shqetësuar fare merr guximin të akuzojë dhe të përflasë kombëtaren jo më në një kafene , po në një emision televiziv kombëtaren duke lëshuar tym kafeneje. Shumë trimosh ai djalë i indinjuar që nuk u drejtohet organeve të specializuara sepse nuk ka si ua argumenton.., po nuk i kushton fare kur hedh fjalët e tija në një emision ku e pranojnë pa një pa dy. Merr guximin të lëshojë një bombë thërrmuese në mes shqiptarëve veç pasi piu një filxhan kafe, në një kafe diku. Një dhuratë shumë më e madhe për serbët për ta përmbyllur më për së miri festën e tyre, sesa vetë fitorja kundër skuadrës sonë. Të lumtur nga ky denoncim i sajuar që kthehet në një diversion të jashtëzakonshëm përçarës në mes shqiptarëve. Dy ditë para ndeshjes Presidenti i Federatës serbe ka shprehur etjen perverse, sepse aspak sportive se meqenëse serbët nuk do shkojnë në finalet e Francës, dua që as shqiptarët të mos shkojnë! Dhe ja ku u vjen në ndihmë dashur, a pa dashur ky djalosh! Ndeshja është shitur! Më e pakta që mund të presin serbët nga ky diversion mbi ndeshjen e ardhshme të skuadrës sonë është që kjo “bombë” ta prishë qetësinë skuadrës shqiptare gjatë lojës, dhe besimin e të gjithë tifozëve në të gjitha trevat shqiptare dhe anë e mbanë botës! Një apo dy lojtarë mund të bëjnë të mundur një manipulim të një loje. Cila qe? nga qe? nga cili prej qyteteve të shqiptarëve në të gjitha trevat? Përpjekje më të madhe se kjo për të futur përçarje në skuadër nuk ka.
Për të pritur skuadrën serbe të futbollit, autoritetet shqiptare na bënë të sillemi ne si një racë evropianësh që nuk ekziston askund në Europë, në fakt si kukulla të hipnotizuara në poza qesharake, duke filluar tek politikanët më të lartë, po serbëve nuk u mjaftojnë as fitorja, dhe as kukullat qesharake, dhe duan më shumë sepse lumturohen“dhurata e” çuditshme” e këtij djaloshi tifoz. Presin që kombëtarja shqiptare e përbërë me shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, gjithë trevat shqiptare që ka bashkuar kaq shumë shqiptarët të minohet, të hidhet në erë nga dyshimi që mund të futet në mes skuadrës, në mes skuadrës dhe shqiptarëve, në mes shqiptarëve. Presin që të minohet skuadra kombëtare e futbollit, ajo që është kthyer në një simbol të jashtëzakonshëm të bashkimit të shqiptarëve. Presin të minohet bashkimi i shqiptarëve. Po më kot presin, shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga një recitim në TV. Kanë dëgjuar dhe dëgjojnë çdo ditë recitime të pa fundme, kanë përballuar dhe lufta të egra ! Më kot lodhen e presin serbët.
Djaloshi që nuk tingëllon si një “tifoz”i mirëfilltë, sepse është ngutur aty ku nuk shkon më me përfundimin e tij të mbështetur në kafe dhe supozime, një sajesë nga asgjë. Është shumë e çuditshme sesi nuk u shqetësua fare po mori guximin tua përcjellë shqiptarëve si të vërtetë halucinacionet, a “zëmratat e tija”, për ngjarjen e tmerrshme që “kishte ndodhur”. E kanë trimëruar shokët e kafesë apo ka trimëruar veten dhe ai vetëm se ka marrë rolin e bajlozit e ka dalë para? Përse i shërbente kjo atij apo shokëve të tij? Ju tregon shqiptarëve që ai nuk do merret më me këtë kombëtare, dhe sugjeron se as shqiptarët tjerë nuk kanë pse merren më me këtë kombëtare. Diskreditimi i kombëtares, një synim shumë i mbrapshtë. Por është ngutur shumë dhe në synimin e tij. Aq sa pak kush beson se kemi të bëjmë vërtet me një tifoz të kombëtares që nuk shpreh asnjë keqardhje për dëmin e rëndë që mund të shkaktojë mbi kombëtaren dhe mbi shqiptarët me “bombën” e tij. Vështirë që dhe të tjerët të mos analizojnë dhe dyshojnë në veprimin e tij. Nuk do nguteshim kështu në rast se “denoncuesi” nuk do ishte ngutur po do kishte pritur vetëm dy ditë. Ta shpallte dyshimin e tij që e sheh si të vërtetë, vetëm pas ndeshjes me Armeninë. Të paktën atëherë do mendonim se ai vetë ndoshta beson në atë që dyshon.
A nuk pati ndër ata shokët me të cilët pinte kafe njërin që ta këshillonte se deri ku mund të shtrihej efekti i “fantazi-denoncimit “ të tij? Apo të gjithë bashkë e nxorën para këtë trimosh?
Denoncuesi na detyron të mendojmë në mënyrën më absurde për një bast të bazuar në një lojë që bëhej jo nga lojtarë të gjallë që lozin, jo në kohën e lojës që rrjedh pa mëshirshëm për bast vënësit, dhe jo në një mori lojtarësh në fushë me të pa priturat e pa fund të lojës, dhe jo me një arbitër dhe dy anësorë, po në një bast të bazuar në robotë të telekomanduar. Si një djalosh që lot futboll në një ekran kompjuteri ku telekomandon dhe mban lojën barazim për 90 minuta dhe i jep vetes kohë shtesë sa do, dhe e lë për të bërë golin kur të dojë, edhe në sekondën e fundit. E bën, dhe “fiton” miliona…Çfarë magjistari!
Pak analizë. Përfunduan plot 90 minuta lojë në barazim. Kushedi sesa janë dridhur nga tmerri dhe bërë të vrasin veten aty për aty ata që humbën bastin milionash. Por ja ndodhi një mrekulli dhe hë për hë u shpëtuan milionat se arbitri dha katër minuta shtesë dhe u shënuan dy gola, në minutën e parë dhe të tretë të asaj kohe shtesë prej katër minutash. Përse golat nuk u bënë diku afër fundit të lojës për të qenë të sigurt milionat? Po sikur arbitri të mos kishte arsye për të dhënë kohë shtesë deh të mos jepte? Kur do gjendeshin dy golat për të cilat qenë vu qindra mijëra euro? Po sikur arbitri të jepte vetëm dy minuta shtesë? Mund të bëhej vetëm një gol, e atëherë ku do gjendej goli tjetër? Një humbje e sigurt e qindra mijëra eurove! Po sikur të mos i dilte topi, se top është ai apo të gjuante keq radhën e dytë lojtari serb a të rrëzohej? Kaq budallenj paskan qenë ata që vunë bastin në një zgrip të tillë kaq budalla për të shënuar në një kohë shtesë që nuk dihej a do ishte dhe sesi? I gjykojnë përciptas shqiptarët aq sa guxojnë dhe përplasin në TV bomba të tilla kaq të dyshimta po ku shqiptarët shohin bomba aspak inteligjente.
Këtij djaloshi i këshillojmë në mos tjetër ose të ndryshojë markën e kafesë që pi që të mbetet esull, ose të pijë kafe dhe me shokë të tjerë që shohin më qartë dhe më thellë se ku e çon fjala e mushka.
Skuadrës tonë kombëtare respektin më të madh, i urojmë fitore kundër skuadrës kombëtare armene!















