Me një mesazh indirekt, por shumë të fortë, LSI i ka rënë sot Lulzim Bashës për të goditur në mënyrë befasuese kryeministrin Edi Rama. Pak minuta pasi kryetari i PD, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat ku akuzoi dyshen Rama- Meta për implikim dirket në aferën e CEZ, Ilir Meta ka nxjerrë të zakonshmin Ylli Manjani për të bërë sulmin e radhës. Gjoja i indinjuar me deklaratat e Bashës, Manjani ka përdorur shprehjen “djaloshi 200 milionësh, shtetasi nga Hollanda”.
Por më shumë se referimi “shtetasi nga Hollanda” për Lulzim Bashën, ajo që ishte si një rrufe në një qiell të vrenjtur tashmë ishte përdorimi i togëfjalëshit “djaloshi 200 milionësh” që menjëherë të çon ndër mend raportin e OSBE ku Edi Rama akuzohej se nëpërmjet vëllait të tij kishte transferuar në kompani offshore 200 milion euro. “Kokoshi 200 milionësh” e quajti Basha, Edi Ramën pas këtij raporti dhe “djaloshi 200 milionësh” qe shprehja që përdori sot Ylli Manjani.
Me këtë gjetje, LSI ka dashur që me një gur të kërcënojë dy zogj, në një kohë kur zërat për një koalicion të madh po shtohen. Mesazhi indirekt i LSI sot ishte, se nëse mund të ndodhë ky do të jetë koalicioni i Djalit 200 milionësh dhe Shtetasit Hollandez, pra një koalicion jo parimor por interesash. Duke ashpërsuar gjuhën në fund të fjalës së tij, Manjani, i rëndoi akuzat ndaj Bashës duke lënë të kuptohet se LSI nuk ka ndërmend ta “dorëzojë” kryetarin e saj pa luftë.
Më në fund, pas shumë përfoljesh e prapaskenash, LSI lëshoi të parin mesazh të fortë reagimi ndaj një bashkëpunimi apo aleance të mundshme PS- PD. Me siguri, që përveç sulmeve që po i vinë pas shpine nga Rama dhe hapur nga Basha për aferën e CEZ, Ilir Meta mund të ketë marrë sinjale edhe për një ndryshim të mundshëm të kodit zgjedhor që do ta rrezikonte ekzistencën e LSI në zgjedhjet e ardhshme.