Në një kohë kur të gjithë presin që për aktet e rënda të dhunës të ndeshjes Serbi-Shqipëri të shprehet Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, policia serbe vazhdon të kërkojë njeriun që mbrëmjen e 14 tetorit lëshoi mbi stadiumin eBeogradit dronin me simbolet shqiptare, por duket se nuk ka ndër mend asnjë gjykatë që të dënojë huliganin ultra-nacionalist, Ivan Bogdanov.
Duket se i vetëdijshëm për këtë është edhe vetë huligani famëkeq pasi IvanBogdanov, i cili sipas asaj që shkruan e përditëshmja serbe “Kurir”, është vetëdorëzuar në polici dhe pas një seancë dëgjimore është lënë sërish i lirë nga forcat serbe të rendit.
Sipas “Kurir”, Bogdanov i shoqëruar nga avokati i tij ka deklaruar para policisë serbe se ka hyrë në fushë jo për të shkaktuar trazira por për të marrë flamurin e asaj që ai e ka quajtur Shqipëria e Madhe, a thua se kjo ishte një detyrë e tij.Bogdanov rrezikon deri në 5 vjet burg nëse gjykohet për dhunë në manifestime sportive e madje deri në 12 vjet nëse gjykohet se ka qenë ai kapobanda, por në fakt për të në nuk ende asnjë vendim.
Mendohet se që pas 14 tetorit Bogdanov është strehuar në pjesën veriore të Mitrovicës në territorin që nuk kontrollohet nga forcat e rendit të Kosovës, e madje bashkë me një grup banditësh ka shëtitur edhe në vende të tjera të Europës.
Tashmë Bogdanov madje duket se i ka vënë vetes edhe një mision patriotiko-financiar për të gjetur shqiptarin që hodhi dronin në stadiumin e Partizanit tëBeogradit, në mënyrë që të marrë edhe një milionë eurot e premtuara nga një pasanik serb.















