Pas dhunës ditën e martë në stadiumin ‘Partizani’ gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, forca të shumta policie janë vendosur sot para ambasadës shqiptare në Beograd, pasi luhet një tjetër ndeshje futbolli, që mund të shkaktojë incidente në kryeqytetin serb.
Sot në stadiumin ‘Partizani’ luhet një derbi serb, pikërisht ndeshja Partizani-Crvena Zvezda dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë shton se ka informacione se huliganët mund të sulmojnë ambasadën shqiptare. Për këtë arsye forcat të shumta policie qëndrojnë në gatishmëri për çdo situatë rreziku që mund ti kanoset objektit. Mes radhëve vihet re dhe një autoblind që shpërndan ujë.
Këshilltari për median në ministrinë e Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi konfirmoi se “ka një shtim të forcave të sigurisë pranë ambasadës shqiptare në Beograd, Serbi, si dhe pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Partizani- Crvena Zvezda.
Sipas tij, deri tani nuk ka kërcënim real për stafin diplomatik shqiptar në Beograd, Serbi.
Burime nga ambasada konfirmojnë se nuk kanë parë kaq shumë forca policie ndonjëherë rreth tyre.
Për News24, Dervishi tha se jemi në dijeni të shtimit të forcave të sigurisë pranë ambasadës shqiptare në Beograd si dhe pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Partizani- Crvena Zvezda.
“Stafi i ambasadës shqiptare në Beograd është kontaktuar nga pala serbe, e cila ka dëshmuar gatishmërinë për të rritur sigurinë pranë ambasadës si dhe për t’u njohur me situatën dhe planin e masave që po merren”, tha Dervishi.
Në ditët e fundit, Ambasada Shqiptare në Podgoricë të Malit të Zi u bë dy herë objekt sulmesh nga persona të ndryshëm, të cilët shkaktuan jo thjesht dëme në pjesën e jashtme të godinës, por hynë edhe në brendësi të saj. E gjitha kjo ndodhi në praninë e policisë















