Prokuroria e Përgjithshme zvicerane ka nisur një hetim penal në ngarkim të presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter. Numri i një i federatës botërore të futbollit akuzohet për shpërdorim detyre dhe keqmenaxhim kriminal.
Sipas asaj që raporton BBC, Blatter aktualisht është duke u marrë në pyetje nga zyra e përgjithshme ligjore në Zvicër. Më herët FIFA, kishte anuluar një konferencë në shtabin e saj në Zyrih.
Zyra ligjore në Zvicër, ka pohuar se hetimet përfshijnë edhe disa kontrata televizive, të cilat Blatter i kishte nënshkruar me ish-shefin e futbollit në Karaibe Jack Warner, në 2005.
Blatter dyshohet edhe për “pagesa të pabaza” të cilat i kishte kryer për presidentin e UEFA-ës Michel Platini, më 2011.
















