Si shumica e bizneseve në Kosovë, edhe Arsimi veturën e tij ka vendosur që ta regjistrojë në emër të kompanisë sepse, sipas tij, me disa reforma ekonomike të cilat janë bërë regjistrimi i makinës në emër të biznesit sjell përfitimet e veta. Ndërsa, si rëndom, edhe këtë vit Arsimi ka shkuar për ta regjistruar veturën e tij, mirëpo sipas ligjeve në fuqi për të kryer një shërbim të tillë nevojitet që secili qytetar ta ketë me vete vërtetimin e tatimit në pronë, vërtetim ky që tregon për shlyerjen ose jo të obligimeve ndaj tatimit në pronë.
Mirëpo, me të shkuar në Komunën e Prishtinës për ta nxjerrë këtë dokument, në mënyrë që të mundë ta bëjë regjistrimin e veturës, atij nuk i lëshohet një vërtetim i tillë, kjo për arsye se Komuna refuzon ta lëshojë vërtetimin për tatimin në pronë me arsyetimin se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka obligime financiare ndaj Komunës së Prishtinës.





















