Prishtina ka bibliotekën e saj “Hivzi Sylejmani” e cila besohet se është themeluar që nga vitet ’40-a. Ka disa biblioteka, një në qendër, një në Pallatin e Rinisë, atë “Përkujtimore” në Taukbashqe, “Përrallat”, “Lektura” si dhe bibliotekat nëpër fshatra.
Kësaj biblioteke i është ndryshuar emri shumë herë e së fundmi kishte probleme me objektin, ngase mungonte hapësira dhe nuk ishin kushtet e duhura.
Nisma që biblioteka e qytetit “Hivzi Sylejmani” të bartet në një objekt të ri do të përmendej qysh në vitin 2007, por projekti nisi të zbatohej tek në vitin 2011, e pastaj u kërkuan prapë.
Krejt kostoja e këtij objekti, Komunës së Prishtinës asokohe nën udhëheqje të Isa Mustafës, ishte llogaritur t’i kushtonte 2,5 milionë euro.
Objekti i ri është i sistemuar në hapësirën prej 30 arësh në lagjen “Dardania” dhe është i ngritur në tre kate.
Dy salla të mëdha të leximit, secila me kapacitet prej rreth 300 vendesh, një sallë për tryeza e konferenca shkencore, janë hapësira të tjera që janë përfituar nga kjo ndërtesë.
Depot e librit do të jenë të standardeve evropiane, ndërsa rëndësi i është dhënë edhe pjesës së stafit e administratës.






















