Pas vlerësimeve pozitive të KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Gjermania angazhohet për fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE, ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas.
“Dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat kyçe, sidomos në forcimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ne i mbështesim vlerësimet pozitive të KE-së. Prandaj angazhohemi për fillim të shpejtë të negociatave në BE.
Negociatat janë hallka më e mirë që mund t’u jepet Shqipërisë dhe RMV-së dhe mbështetja më e mirë e mundshme për progres të mëtejshëm”, ka thënë Maas i cituar nga agjencia e lajmeve, Ina.
Shefi i diplomacisë gjermane paralajmëron se mos-hapja e negociatave do të jetë e dëmshme për dy vendet, por edhe për BE-në dhe Gjermaninë. “Pa shenjë inkurajuese nga BE do të rrezikojmë progresin e madh të arritur në vitet e fundit. Kjo do të dëmtojë edhe interesat e BE-së dhe Gjermanisë. Na duhen shtete stabile, efikase dhe demokratike në Ballkan Perëndimor”, ka thënë Maas.
KE pas raporteve të publikuara, thekson se Shkupi dhe Tirana i kanë përmbushur kriteret për fillim të negociatave dhe se pret Këshilli i BE-së në javët e ardhshme të marrë një vendim pozitiv. Raportet e publikuara e përshëndesin progresin në të dy vendet.



















