Ish kryeministri Berisha bëri publik një version që përflitej në qarqe të ngushta të organeve hetimore e policore në lidhje me hedhjen në erë të farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Berisha tha se tritoli iu vendos nga Emiljano Shullazi dhe jo nga Gjutajt. Por Tahiri, sipas tij, e përdori këtë rast për të goditur Gjutajt, për shkak se ata e kishin rrahur para zgjedhjeve.
Sipas Berishës, ministri i Brendshëm ka dërguar Emiljano Shullazin në familjen Gjutaj për të negociuar që të mbyllej sherri mes tyre. Kjo është edhe arsyeja- tha ish kryeministri- përse Tahiri nuk shkoi në prokurori për të dëshmuar kundër 7 anëtarëve të familjes Gjutaj, të arrestuar për tritolin. Dhe për këtë arsye, të gjithë të arrestuarit u lanë të lirë, në bazë të marrëveshjes se Tahirit me Gjutajt, të negociuar nga Emiljano Shullazi, tha Berisha. Me këtë deklaratë, ish kryeministri hedh për herë të parë në publik një version mbi motivin përse u liruan nga akuzat të gjithë të arrestuarit për shpërthimin tek farmacia e babait të Saimir Tahirit.















