Ish-kryeministri Sali Berisha reagon për kufizimin e fjalës së lirë. Ndërsa i referohet rastit të Francës dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama, Berisha përmend rastin e dhunimit të gazetarit investigativ Telnis Skuqi në Gjirokastër. Berisha në një status në rrjetin social Facebook nënvizon se pavarësisht kërcënimeve Telnis Kuqi nuk u tremb.
Shkrimi i plotë i Sali Berishës
Atentat ndaj fjalës së lirë! Grushta dhe shqelma mbi gazetarin investigativ Telnis Skuqi. Të dashur miq, sot në mëngjes një person i panjohur, që rezulton të jetë një fanatik i PS dhe thuhet i përdorur se fundi dhe si agjent nga Policia e Partisë, goditi me grushta dhe shqelma, pasi e shau me fjalët më të rënda, gazetarin e mirënjohur investigativ të vendit Telnis Skuqi. Krimineli e agresoi gazetarin para gjykatës se Gjirokastrës fizikisht dhe me sharjet më të ulëta. Ai, pasi e akuzoi si provokator për gjëra që nuk kishin asnjë lidhje me Telnisin i rikujtoi këtij të fundit shkrimet e tij duke i thënë se “do ta shohësh ti me ato shkrime që bënë kundra nesh”. Po ju rikujtoj këtu të dashur miq se Telnis Skuqi është gazetari investigativ numër një i vendit, i cili me hetimin e tij të guximshëm arriti të zbuloje rrjetin e trafikut të drogës që drejtohej nga Serezi i Sajmir Tahirit dhe që përdorte bazat e Ushtrisë, avionët privat që uleshin në Kradhiq. Për të bllokuar botimin e artikullit në fjalë Saimir Tahiri i ofroi direkt, nëpërmjet ndrikullës të rrezikshme të drogës, 20 mijë euro. Por, Telnisi botoi pa u trembur hetimin e tij. Pas botimit të shkrimit Rama dhe Tahiri i hodhën Telnisit në oborrin e shtëpisë, nëpërmjet Kostandin Xhuvanit, kokën e dhisë, veprim ky që do të thoshte se e kishin dënuar me vdekje. Por, këto paralajmërime mafioze qeveritare nuk e tremben gazetarin guximtar. Ai pa përfillur këto kërcënime kriminale të qeverisë, me hetimet e tij disa mujore zbuloi dhe dokumentoi aktin e pedofilisë të sekretarit të PS për Sarandën, ndihmësit të kryeministrit të jugut apo sivllaut të Ramës, Koço Kokëdhima, që shiste vendet e punës kundrejt marrëdhënieve seksuale me të mitur. Prej disa kohësh ai ishte i angazhuar në hetimin e disa çështjeve tejet sensitive për Ramën dhe sivllaun e tij Kokëdhima në zonën e bregut por dhe gjetiu. Goditja sot e Telnis Skuqit është një atak i rend por i radhës i Edi Ramës ndaj lirisë së mediave kritike ndaj tij. Është një përpjekje e shëmtuar për të mbyllur gojët dhe heshtur zërat kritik nda tij. Kështu pasi mbylli me Yllin e Partisë emisionin “Alarm” të Armir Shkurtit, mbylli emisionin “Debat” të Çim Pekës, i dërgoj si xhelat për ta përshëndetur dhe ja thau përgjysmë zërin Arian Çanit me përfaqësuesin e bandës së Partisë, Rama përdor militantët e tij fanatik (thuhet dhe agjent të Policisë së Partisë) për t’i mbyllur gojën zërit më të fuqishëm investigativ të aferave të pista të tij dhe pushtetarëve të tjerë gazetarit të mirënjohur Telnis Skuqi. Me këtë rast dua t’i them Edi Ramës hiq dorë nga metodat, kërcënimet e presionet e të të gjitha llojeve, me të cilat në një afat kohe rekord ke sterilizuar dhe nënshtruar në tërësi, me ndonjë përjashtim, mediat e shkruara dhe elektronike të vendit, ke mbyllur emisione të tëra që nxirrnin në shesh të palarat e qeverisë tënde. Dua të paralajmëroj Edi Ramën, këtë armik të lirisë të mediave se, për çdo kërcënim, çdo dhunim të gazetarëve kritik në tërësi dhe ndaj gazetarit Telnis Skuqi në veçanti që po heton aferat e tij të pista dhe pushtetarëve të tjerë makut , do të konsiderohesh si autor direkt, si përgjegjës direkt dhe do përballesh me të gjitha pasojat e tyre!
















