Fondi, MAS akordon 1 mln dollarë nga fondi prej 35 mln që do të shkojë për shkollat me probleme
Nis rikonstruksioni i katër shkollave, mes të cilave dy të mesme dhe dy 9-vjeçare në qytetin e Beratit. Një investim prej një milion dollarësh i financuar nga Ministria e Arsimit, në kuadër të premtimit se fondi prej 35 milionë lekësh për blerjen e librave të rinj në biblioteka do të përdoret për rikonstruksionin e shkollave me probleme të mëdha. Zyrtarisht mësohet se shuma e parave do të shërbejë edhe për ndërtimin e palestrave sportive apo për pajisjen e tyre me mjetet e nevojshme. Në sajë të këtij investimi, ka nisur puna për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Thimi Tani”; shkollës së mesme të përgjithshme “Kristaq Capo”; shkollës së mesme në Urën Vajgurore dhe një shkolle 9-vjeçare në fshatin Karkanjoz. Ndërkohë, mësohet se dy shkolla të tjera 9-vjeçare në qytetin e Beratit do të pajisen me ambientet sportive të munguara. Kreu i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Berat, Selman Hodaj, tha se ky është investimi më i madh që është dhënë ndonjëherë nga qeveria në fushën e arsimit, duke theksuar se puna ka filluar dhe po ecën me ritme të mira. Rreth një javë më parë, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit, thanë për gazetën “Shqip” se fondi prej 35 milionë lekësh që alokohet për çdo vit nga Ministria e Arsimit për blerjen e titujve të rinj të teksteve në bibliotekat e shkollave do të përdoret për rikonstruksionin e shkollave me probleme në nivel kombëtar, duke e cilësuar këtë të dytën si një sektor, ku nevoja për ndërhyrje është më emergjente.
Vendimi i MAS-it për transferim fondi erdhi dy ditë pas publikimit të librave të rinj jashtëshkollorë, të përzgjedhur nga bordi i ngritur në MAS. Kështu, pavarësisht se prej tri ditësh bordi i ekspertëve të MAS-it ka porositur shtëpitë botuese të hartojnë rreth 400 tituj të rinj librash, të cilët ishin parashikuar t’u bashkëngjiteshin bibliotekave të shkollave të sistemit parauniversitar në të gjithë vendin, mësohet se paratë që do të shpenzoheshin për blerjen e tyre nga buxheti i Ministrisë së Arsimit do të përdoren për rikonstruksionin e shkollave në gjendje të mjeruar, me lagështirë, me mure të rrënuara apo ku rrezikohet rënia e tavanit, raste të denoncuara shpesh nga prindërit, fëmijët, por edhe media.















