Ashtu sikundër e paralajmeroi edhe Portali Albeu pak ditë më parë se ministri Beqja do tërhiqej për testimin ndaj bluzave të bardha, çdo gjë është konfirmuar sot, duke shuar në të njëjtën kohë të gjitha protestat.
Pesë ditë më parë, burime nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), konfirmuan për Albeu.com., se Ministria e Shëndetësisë është tërhequr nga kryerja e testimit të mjekëve dhe infermierëve, por po përpiqet të gjejë një rrugëdalje me sa më pak kosto politike, pas bujës që bëri sipërmarrja për kalimin në testim të stafit mjekësor të spitaleve të vendit.
Tashmë te gjitha zërat referuar kësaj çështje u konkretizuan në formë të prerë, duke ngritur në piedestal të gjitha pretendimet e mjekëve. Kërkesat e tyre janë marrë parasysh, e ndërsa protestat ministri i cilësoi si të drejta.
Pasi Gjykata Administrative pezulloi urdhrin e ministrit Beqaj për testimin e mjekëve, ai shprehet se do të respektoj vendimin e gjykatës. Ai ka bërë me dije se procedurat për testimin do të “ngrijnë”, për sa kohë gjykata të shprehet në themel për çështjen.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ministri bëri me dije se është e drejta e çdo njeriu që të protestojë dhe se deri sa të kemi një vendim nga gjykata, do të presim se çfarë do të vendoset.
















