Partia e ish-presidentit Ibrahim Rugova sot me rastin e 72-vjetorit të lindjes së tij, kryeministri i vendit, Isa Mustafa do të bëjnë homazhe pranë varrit të tij në lagjen Velania
“Sot në orën 12:00, me rastin e 72-vjetorit të lindjes së Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, akademik Isa Mustafa dhe Kryesia Qendrore e LDK’së, do të bëjnë homazhe pranë varrit të tij”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Express.
Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë.
Nën udhëheqjen Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës, transmeton Express.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.



















