Me rastin e zgjedhjes së tij, Asambleja e Përgjithshme, në përbërje të të cilës janë 12 kompani të sigurimeve, votën pro e patën dhënë vetëm 7 sosh, derisa me statutin e Byrosë kërkohet që të jenë 2/3 e votave apo tetë vota gjithsej që të shpallet kandidati fitues.
Për me tepër, këtë rast në gjykatë, për shkelje procedurale dhe konflikt interesi, tashmë e ka quar edhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë ‘Siguria’.
Por Banka Qendrore e Kosovës, si autoriteti final në bazë të ligjit, ka shmangur krejtësisht mendimin e Auditorit të Brendshëm, duke vendosur ta aprovoj zgjedhjen e Pushkollit në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Gazeta Fjala ka siguruar këtë vendim i cili mban datën 13 shtator dhe i cili është nënshkruar nga zëvendësguvernatori Fehmi Mehmeti dhe ushtruesi i drejtorit në Departamentin e Licencimit dhe Standardizimit, Dardan Fusha.

‘Pasi kemi shqyrtuar kërkesën tuaj të datës 9 shtator 2016, ju njoftojmë se bazuar në nenin 30, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia dhe nenin 14 të Rregullores për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, aprovon z. Blerim Pushkolli, në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve’, thuhet në vendimin e BQK-së.
Auditori: Zgjedhja e Pushkollit konflikt interesi
Zgjedhjen e Pushkollit në krye të BSK-së, Auditori i Brendshëm e ka kualifikuar si konflikt të pastër interesi.
Kjo sepse ai paraprakisht si kryesues i Asamblesë ka votuar në mbledhjen për formimin e komisionit, i cili më pastaj ka zgjedhur kandidatin për drejtor, që në këtë rast ka qenë vetë Blerim Pushkolli.
Kjo për Auditorin e Brendshëm përbënë konfikt të pastër interesi, për shkak se ka ekzistuar rreziku për ushtrim të ndikimit tek anëtarët e komisionit.
‘Propozimi nga ana e Komisionit për kandidatin e lartpërmendur paraqet konflikt interesi, pasi që vota e kryesuesit të Asamblesë Pushkollit në mbledhjen ku është votuar për formimin e Komisionit, i cili ka pasur detyrë të përzgjedhë kandidatët e mundshëm në Asamble të Përgjithshme të Byrosë për drejtor ekzekutiv, implikon konflikt interesi – ushtrim të ndikimit të drejtpërdrejtë te anëtarët e Komisionit, favorizon kandidatin Blerim Pushkolli’, thuhet në raportin e Auditorit të Brendshëm.
Hashim Rexhepi: Më eliminuan nga gara
Drejtori aktual i Byrosë, që po kontestohet edhe nga brenda vetë Asamblesë ku janë kompanitë e sigurimeve, e kishte kryesuar komisionin edhe në konkursin e parë, kur ende nuk ishte zgjedhur drejtori i BKS-së.
Në konkursin e parë, si kandidatë në garë ka qenë edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rerxhepi.
Ai tregon për Gazetën Fjala se është intervistuar nga vetë drejtori aktual Blerim Pushkolli, aso kohe po ashtu kryesues i Komisionit të Asmamblesë së Përgjithshme.
Me gjithë përvojën në tregun e sigurimeve dhe suksesit të treguar gjatë intervistimit, Rexhepi thotë se nuk ka kaluar as në rrethin e ngushtë të kandidatëve.
Ai këtë e quan më shumë eliminim nga gara.
‘Kisha informata se zgjedhja e drejtorit është e kurdisur, por provova pasi mendova se me përvojën time po ofroja një zgjidhje cilësorë për Byron. Moskalimin në rrethin e ngushtë e shoh si eliminim nga gara’, ka thënë Rexhepi, i cila shton se bile njëri nga intervistuesit, një slloven, ka qenë pro tij për këtë pozitë.
Gazeta Fjala ka dërguar pyetje në Byron Kosovare të Sigurimeve lidhur me arsyet e largimit të Rexhepit nga gara qysh në start, por nuk ka marrë përgjigje as pas pesë ditësh pritjeje.
‘Do t’iu njoftojmë më vonë se a do të kthejmë përgjigje apo jo’, ka qenë shkurtë përgjigja e një zyrtareje në këtë institucion.
‘Siguria’ padi ndaj BKS-së
Përveç auditorit, të paligjshëm këtë proces e shohin edhe disa prej anëtareve të asamblesë. Bile kompania e sigurimeve ‘Siguria’ tashme ka shtruar padi ndaj vendimit BKS-së për zgjedhjen e Blerim Pushkollit, si drejtor ekzekutiv.
Konkretisht këtë padi e ka ngritur anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të BKS-së, Abduselam Shkodra.
Shkodra, i cili këtë padi e ka bërë në emër të kompanisë së sigurimeve ‘Siguria’, pati thënë me këtë rast se kërkesa e tij drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, është që të pezullohet dhe anulohet vendimi të cilin ai e quan të kundërligjshëm.

‘Sot me datën 19.09.2016 në emër të kompanisë së sigurimeve ‘Siguria’ kam ushtruar padi kundër Byros Kosovare të Sigurimeve, respektivisht kundër vendimit me nr.1300/16 të datës 07.09.2016, ku me anë të këtij vendimi, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të BKS-së ka tentuar në mënyrë antistatutare dhe në kundërshtim me ligjet e aplikueshme të emëroj Drejtorin Ekzekutiv të BKS-së. Padinë i kam dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti për çështje administrative, me kërkesën për pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi të kundërligjshëm’, pati thënë Shkodra, përmes një njoftimi për media.
Lidhjet e Pushkollit me Akan Ismajlin
Bazuar në pozitat që ka mbajtur më herët, Blerim Pushkolli del të jetë i afert me Akan Ismailin dhe Bujar Musën, të dy këta të fundit aksionar në IPKO dhe pronarë të kompanisë se sigurimeve Scardian, në të cilën Pushkolli ka qenë për një vit e gjysmë njëri nga drejtorët.
Saktësisht këtë pozitë në ‘Scardian’ Pushkolli e ka mbajtur nga qershori i vitit 2015.
Për me tepër, në CV-në e tij të publikuar në Linkeedin, Pushkolli ka thënë se ka shërbyer si Drejtor Financiar në IPKO nga viti 2007 deri në qershor të vitit 2015.
Ndërkohë, tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, kompania e sigurimeve ‘Scardian’ del të jetë pronë e kompanisë ‘Fundëay LLC’ e cila aty thuhet se drejtohet nga Akan Ismajli dhe Bujar Musa.
Ndryshe me 7 shtator të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e BKS-së ka zgjedhur Blerim Pushkollin, Drejtor ekzekutiv të BKS-së.
Auditori i Brendshëm dhe kompanitë e sigurimeve e kanë kontestuar zgjedhjen e tij me arsyetimin se është shkelur statuti i BKS-së, përkatësisht neni 21 i cili thekson se për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv neëvojiten 2/3 e votave të anëtarëve.






















