Bashkimi Europian nuk do ta njohë qeverinë e talibanëve dhe as do të zhvillojë bisedime politike me të. Qëndrimi i Brukselit u njoftua nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen ditën e shtunë.
Shefja e ekzekutivit të BE-së foli pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE-së të evakuuar nga Kabuli. Von der Leyen tha se do të propozonte një rritje të ndihmës humanitare prej 67 milionë dollarësh që Komisioni kishte parashikuar këtë vit për Afganistanin.
Ajo tha se ndihma e BE-së lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut, trajtimin e mirë të pakicave dhe respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
“Ne mund t’i dëgjojmë ato çka thonë talebanët, por do t’i vlerësojmë ata mbi të gjitha për veprimet e kryera në terren”, deklaroi në një konferencë për shtyp Presidentja e KE.
Ajo shtoi se Komisioni ishte gati të siguronte fonde për vendet e BE-së që do të ndihmojnë në zhvendosjen e refugjatëve dhe se planifikonte ta ngrinte çështjen e zhvendosjes në një takim të G7-s që mbahet javën e ardhshme.
Të dielën mbushet një javë që prej rënies së Kabulit në duart e talebanëve, që morën kontrollin e vendit pa hasur ndonjë rezistencë të madhe nga ushtria dhe qeveria afgane.



















