Bashkia tha se ky është roli i saj dhe pjesë e politikave të ngritura nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.
Bashkia e Tiranës, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshillin Shqiptar të Agro-Biznesit (KASH), dhe kompaninë “Risteco” në Itali, kanë organizuar në Tiranë një aktivitet 2-ditor në lidhje me “Sigurinë Ushqimore”.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, u shpreh se “Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me një nga platformat më të rëndësishme sot në botë që quhet “Eating City”, organizuan këtë aktivitet lidhur me ndërgjegjësimin e njerëzve se si të shihemi më mirë, se si duhet të jemi më të shëndetshëm, se si fermerët të jenë më afër konsumatorit, se si konsumatori të kuptojë ushqimin që do, sa e do, e si e do”.
“Ky është roli i një Bashkie të mirë dhe kjo është pjesë e politikave të ngritura nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Ne do të përpiqemi maksimalisht që tregjet tona të jenë efikase dhe të kenë hapësirat e duhura, produktet të jenë të çertifikuara, të kontrolluara mirë, të monitoruara nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, qe është mekanizimi kryesor”, tha Xhindi.
“Eating City”, është një program aktivitetesh shumëvjeçar, i krijuar në 2010 nga RISTECO CONSUNTIUM – TERRE CITOYENNE në Torino të Italisë, i bashkëfinancuar nga Kryetari i Fondacionit Charles Leopold Mayer Foundation for the Advancement of People (FPH) në Paris.
Ky program në eventet e tij ne mbarë Europën, Afrikë dhe Azinë është mbështetur nga pushteti vendor dhe strukturat e tij që merren me ushqimin dhe sigurinë ushqimore.














