Arvizu bojkoton Kuvendin e PD-së
Çelja e punimeve dyditore të Kuvendit Kombëtar të PD-së do të ndiqej nga afër edhe nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. Por i vetmi që mungoi në këtë ngjarje për demokratët ishte ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ku në vend të tij ishte zëvendësambasadori Henry Jardine.
Grossruck
Europarlamentari austriak, miku i përhershëm i PD-së
Europarlamentari austriak, Wolfang Grossruck, u rikthye dje sërish në Tiranë, ku ndoqi nga afër punimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Grossruck njihet për miqësinë e tij me ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha, një miqësi që ai e shfaqi edhe me kryetarin e ri, Lulzim Basha, ku qëndroi në krah të tij gjatë gjithë punimeve.
Kuvendi i PD, Basha sulmon deputetët për humbjen më 23 qershor
Fjalimi
“Humbëm se njerëzit tanë flinin mbi dafina. Ndjesë qytetarëve!”
Pas pesë vitesh, Partia Demokratike mblodhi dje Kuvendin e saj Kombëtar, nga ku do të përmbyllet mbrëmjen e sotme dhe procesi i plotë i ristrukturimit, pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar me zgjedhjen e 150 anëtarëve në Këshillin Kombëtar. Për më shumë se një orë, kryedemokrati Lulzim Basha bëri një panoramë të të gjitha zhvillimeve politike në vend, që prej ngjitjes së tij në krye të PD-së korrikun e shkuar. Dhe një vit pas rotacionit të pushtetit, në shënjestrën e akuzave të Lulzim Bashës do të ishin deputetët dhe drejtuesit e partisë së tij në rrethe apo siç i cilësoi kandidatët e sigurt në listat e PD-së për deputetë, që, siç tha ai, neglizhuan qytetarët, duke preferuar dukjen në podiume përballë punës derë më derë për të dëgjuar elektoratin. “Rastet e arrogancës apo shpërfilljes ndaj situatës ku u gjend një pjesë e sipërmarrjes së lirë në vend për shkak të efekteve të krizës globale nuk ishin sjellje të kostumit tonë politik si parti e nismës së lirë. Fushata jonë elektorale u foli më shumë masave sesa individëve. Një numër jo i vogël i kandidatëve tanë të siguruar nëpër lista nuk i dhanë rëndësinë e duhur punës derë më derë, por u mjaftuan të dilnin në tribunat e tubimeve të organizuara nga partia në qendër”, tha Lulzim Basha. Sipas tij, të zgjedhurit jetonin në një botë paralele me qytetarët, duke mos i kuptuar dot hallet e tyre.
Analiza e humbjes
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Basha tha se Partia Demokratike janë anëtarët e saj, delegatët dhe e gjithë anëtarësia, duke shtuar se PD-ja ka dalë nga shoku i humbjes së vitit të kaluar dhe është ringritur. Kreu i opozitës tha se tetëvjeçari i qeverisjes demokratike ka qenë periudha e një progresi historik. Por, lidhur me rezultatin e 23 qershorit, si një nga shkaqet kryesore të humbjes, Basha përmendi distancën me qytetarët, ndërsa shtoi se lidershipi demokrat duhet të ishte aty ku është jeta dhe halli. Gjithashtu, ai shtoi se sundimi i ligjit, legalizimet, korrupsioni etj., çaluan kryesisht në fund të mandatit të dytë. Basha deklaroi se gjatë fushatës elektorale u fol kryesisht për masat dhe jo për individët. “Qeveria investoi për vepra të mëdha, por disa nga përfaqësuesit tanë fjetën mbi dafina. Disa harruan se midis veprave me dobishmëri publike dhe qytetarit me problemet e tij personale, ka një hapësirë të gjerë, ku përfaqësuesit tanë duhet të shërbenin me devotshmëri. Lidershipi demokrat duhet të ishte gjithnjë aty ku është jeta e njerëzve, aty ku është problemi i pazgjidhur, aty ku është papunësia, varfëria, përmbytja, shkelja e ligjit, diferencimi shoqëror e të tjerë. A kemi qenë gjithnjë në lartësinë e duhur? Në mbledhje dhe konferenca të ndryshme janë përmendur raste ekstreme kur të zgjedhur të caktuar të Partisë Demokratike nuk janë parë asnjëherë në zonë gjatë katër viteve të legjislaturës së shkuar”, u shpreh kreu i PD-së. Dhe, për të gjitha mangësitë e shfaqura gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-së, Basha do t’u kërkonte ndjesë të gjithë demokratëve. “Për të gjitha këto dhe për çdo mangësi tjetër, unë sot, në emër të Partisë Demokratike, u kërkoj ndjesë nga kjo tribunë, me përulje, anëtarëve të PD-së dhe para së gjithash atyre qytetarëve që janë ndier të braktisur dhe kanë pasur arsye të ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre nga qeverisja jonë”, tha Basha.
Rikthimi në Kuvend
Në prag të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, pjesë e së cilës do të jenë edhe demokratët dhe i gjendur përballë kërkesës së ndërkombëtarëve për të riparë opozitën në Kuvend, nga foltorja e Pallatit të Kongreseve, kryeopozitari Lulzim Basha u shpreh i gatshëm për një marrëveshje me mazhorancën, që do ta kthente opozitën në jetën parlamentare. Por që karriget e demokratëve të mos jenë më bosh, Basha i vuri kreut të mazhorancës kushtin për të marrë përgjegjësitë politike për futjen në Kuvend të njerëzve të inkriminuar. “Jemi në kushte papajtueshmërie me këtë Kuvend; kërkohet një vetëdije e re për të atakuar në themel, sot e përgjithmonë, problemin e madh të kriminalizimit të Kuvendit dhe të administratës publike. Kërkohet një reflektim dhe impenjim i madh, në radhë të parë i Kryeministrit të vendit, që është përgjegjësi numër një i kësaj situate. Më kot shkon me mendimin se opozita do të lodhet dhe do të kthehet e penduar në sallën e Kuvendit. Edi Rama duhet të flasë, duhet të rrëfehet, të bëjë një ‘mea culpa’ të madhe për katranosjen që i ka bërë Kuvendit, në mënyrë që të krijohen premisat për të shkuar drejt një marrëveshjeje të rëndësishme midis shumicës dhe opozitës, një marrëveshje që do të zgjidhte një herë e mirë, çështjen e sovranitetit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; që do të zgjidhte një herë e mirë, çështjen e dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel e deri në burmën e fundit, mekanizmin që promovon trafikantë, vrasës, pengmarrës në Kuvend dhe në poste publike”, u shpreh kreu i opozitës.
Kuvendi
Shehi dhe Idrizi nuk janë prezentë në Kuvend
Edhe pse ishin shpërndarë ftesa për të gjithë aleatët e koalicionit opozitar në Parlament, në punimet e Kuvendit Kombëtar të demokratëve ra në sy mungesa e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi. Por në emër të PDIU-së, i pranishëm në këtë aktivitet ishte deputeti i saj, Tahir Muhedini. Ndërsa aleatët e tjerë do të ishin të gjithë deputetët e Partisë Republikanë të kryesuar nga Fatmir Mediu, Agron Duka, Ylli Shehu. Gjithashtu, pavarësisht mosbindjes së tij për të bojkotuar Parlamentin, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, do të ishte dje në sallë, i cili së bashku me kolegët e tij republikanë dhe atë të PDIU-së, u akomoduan nga organizatorët në tribunën qendrore të sallës së Pallatit të Kongreseve.
Rama: Kur ne bënim kongres, PD-ja gjuante me baltë
Punimet e djeshme të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së kryesocialistit Edi Rama, i cili përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, do të reagonte ndaj këtij aktiviteti, teksa kujtonte sjelljen e demokratëve në kohën kur ata ishin në pushtet. Në komentin e tij, Rama shkruan se në kohën që PD-ja bën kongres, qeveria po shikon punën e saj, ndryshe nga koha kur PS-ja ishte në opozitë dhe sipas Kryeministrit, gjuhej me baltë nga qeveria e djathtë. “Ja dhe një shembull i ndryshimit real: kur bënim kongres në opozitë, qeveria na gjuante me baltë, sot PD-ja bën kongres, qeveria sheh punët e saj”, shkruan Kryeministri Rama.
Organizimi
Kuvendi i demokratëve përshëndetet nga kreu i PPE-së, Jozef Daul
Basha në Pallatin e Kongreseve i gjen të papërgatitur delegatët
Edhe pse ishte lajmëruar që punimet e tij do të nisnin rreth orës 10:30, rreth 7500 delegatët e PD-së që ishin ftuar të merrnin pjesë në punimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së do të nisnin të mblidheshin që në orët e parë të mëngjesit të djeshëm para oborrit të godinës së Pallatit të Kongreseve. Në grupime të vogla, herë pas here ata do të takonin organizatorët e këtij Kuvendi, për të marrë informacionet e nevojshme për mënyrën se si ishte menduar të bëhej votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Rreth orës 10:00, ata do të ftoheshin për t’u futur në hollin e Pallatit të Kongreseve, nga ku do të tërhiqnin dhe kuponin e tyre të votimit, në të cilin shënohej edhe numri përkatës i tyre, ku ishin përcaktuar dhe qendrat e votimit që ishin ngritur në katin nëntokë të kësaj godine. Dhe, pas kësaj procedure, vonesa prej më shumë se 30 minutash e mbërritjes së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, do të detyronte organizuesit që të shtynin dhe çeljen e punimeve të Kuvendit Kombëtar. Por mbërritja e kryedemokratit në hollin e Pallatit të Kongreseve nuk tërhoqi fillimisht vëmendjen e delegatëve që gjendeshin në holl, nga ku do të ndiqnin të gjithë aktivitetin që do të zhvillohej në sallën e këtij pallati. Fillimisht, Basha do të takonte vajzat e stafit që ishin ngarkuar për të shpërndarë mandatet e votimit për delegatët, nga ku mori dhe të dhënat e para të ecurisë së aktivitetit të djeshëm. Dhe pas kësaj, Basha do të shtrëngonte duart thuajse me të gjithë të pranishmit në holl, për t’ju drejtuar më pas vendit të tij në sallë, ku gjithashtu, ai do të takohej me të gjithë miqtë e Partive Popullore Europiane, të cilët ishin ftuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm të demokratëve. Pasi zuri vendin e tij, nën tingujt e Himnit Kombëtar, Partia Demokratike do të çelte në orën 11:00 punimet e Kuvendit Kombëtar. Përmes një videomesazhi, kryetari i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, përshëndeti Kuvendin e demokratëve, pjesë e PPE-së. “Shqipëria duhet të avancojë dhe të mos ndalet në mes të rrugës. Për të arritur këtë, duhet garantuar pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe reformat strukturore që lidhen me shërbimin civil, ku nëpunësit duhen zgjedhur sipas meritës”, u shpreh në videomesazhin e tij kryetari i grupit të PPE-së, Daul, i cili nuk mundi të ndiqte nga afër këtë Kuvend.















