Kreu i PD: “… Kur kam artikuluar kërkesën për qeveri teknike që t’u paraprijë zgjedhjeve të parakohshme, sigurisht është një kërkesë e menduar mirë, e shoshitur, e rrahur në debatin e brendshëm të PD dhe nuk vjen as si retorikë politike, por si zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi sot”.
Z.Basha, prej 8 dhjetorit Partia Demokratike ka nisur një stinë protestash, të cilat sipas jush do të përfundojnë vetëm me krijimin e një qeverie teknike që u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Realisht besoni në zgjedhje të parakohshme, apo është thjesht një retorikë politike, pasi me shumë gjasa është shumë e vështirë që të arrihet ky vendim politik…
I njëjti skepticizëm i pranueshëm, i kuptueshëm deri diku u shpreh edhe kur unë dhe PD lançuam dekriminalizimin si kushtin e rikthimit tonë në Parlament. Një vit më parë u nënshkrua marrëveshja duke hapur rrugë, një vit me vonesë, më mirë vonë se kurrë, miratimit të paketës më të ashpër në Europë për përjashtimin e kriminelëve nga garimi dhe emërimi në zyra publike, si dhe largimin dhe prerjen e mandatit të atyre që tashmë janë infiltruar me bekimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës në Parlament, në qeveri, në administratën publike… Kur kam artikuluar kërkesën për qeveri teknike që t’i paraprijë zgjedhjeve të parakohshme sigurisht është një kërkesë e menduar mirë, e shoshitur, e rrahur në debatin e brendshëm të PD dhe nuk vjen as si retorikë politike por si zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi sot. PD e ka këtë detyrim para qytetarëve shqiptarë, e ka këtë detyrim jo vetëm para militantëve, simpatizantëve, votuesve të saj, por edhe para socialistëve sepse ne jemi opozita e vendit. Oferta jonë për një zgjidhje politike të krizës së rëndë politike, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike që ka pllakosur Shqipërinë, krizës së besimit, krizës së shpresës është oferta e rikthimit tek qytetarët, me programe konkurruese, me ide dhe për t’i lënë qytetarëve edhe një herë të zgjedhin lirisht pa kërcënime, pa mashtrime, pa shit-blerje votash, pa dajak, e pa kërbaç ofertën më të mirë, atë që ata gjykojnë si ofertën më të mirë. Ta zgjedhin atë lirisht për të hapur rrugë një qeverisje e cila vjen me programe reale, jo me mashtrime, vjen me përgjegjësi të drejtpërdrejtë para qytetarëve dhe nuk i shmanget asaj, me vetëdijen se çfarë i ndodh një qeverie të papërgjegjshme që premton hënën dhe nuk arrin dot të realizojë as nevojat më minimale as të shoqërisë, as të vendit.
Kur themi retorikë, z. Basha, kjo përforcohet më shumë pasi themi se Shqipëria ka njohur qeveri teknike vetëm në kohë krizash. Realisht jemi në situatë të tillë, sa të kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme? Se zgjedhje të parakohshme kërkon çdo opozitë, por qeveri teknike, të paktën në historinë e Shqipërisë ka vetëm në kohë krizash?
Ky është momenti për të bërë bilancet e këtij viti që po kalon në tërësinë e dy vite e gjysmë të mandatit të mazhorancës qeverisëse Rama-Meta. Ku jemi sot? Ku janë sot shqiptarët? Dhe bilanci është një bilanc i hidhur. 73 mijë kryefamiljarë kanë dy muaj që nuk shkojnë në mëngjes të hapin qepenat e dyqaneve të tyre prej keqqeverisjes, prej politikës së kërbaçit, prej aksionit të ashtuquajtur informal, por në fakt ishte aksioni terrorizues i qeverisë ndaj bizneseve dhe sipërmarrjes së vogël. 100 mijë shqiptarë kanë lënë vendin dhe dergjen sot në kampet e refugjatëve në Gjermani, në Holandë, në Suedi, anembanë Europës. 200 mijë të tjerë e kanë konkretizuar dëshirën e tyre për t’u larguar nga vendi duke mbushur formularët për “Green Card”, pra Lotarinë Amerikane.
Tkurrja e konsumit konfirmohet si nga raportet e Bankës së Shqipërisë, po kështu nga raportet ndërkombëtare, të dhënat e ministrisë së Financave, qeverisë shqiptare, INSTAT-it që është nën kontroll të Edi Ramës. Rënia e fuqisë blerëse të shqiptarëve, pra rënia e konsumit është një efekt i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara ekonomike të kësaj qeverie që prej ditës së parë por edhe një skeme të madhe korrupsioni që paratë që duhet të jenë në duart e konsumatorëve për të siguruar për të blerë bukën e tyre të përditshme, zarzavate për fëmijët, shërbimet e domosdoshme, paratë që duhet të shkojnë për të ndërtuar shkolla të reja, spitale, ujësjellës, ura, rrugë i kanë vjedhur me një ritëm marramendës. Shifra e vjedhjes e kombinuar 400 milionë dollarë në doganat shqiptare, sipas të dhënave të qeverisë shqiptare dhe 777 milionë euro dëm ekonomik për shkak të prokurimeve të drejtpërdrejtë dhe prokurimeve ku gjithmonë favorizohen fëmijët, miqtë, tarafi, ortakët e Edi Ramës dhe ministrave të tij. Të gjitha këto janë shkaqe se përse në Shqipëri sot ka më pak vende pune, më shumë shpunësim, taksa më të larta, më pak shpresë, një ekonomi në rrënim dhe shqiptarë në largim apo me kërkesën për t’u larguar nga vendi i tyre… Shkaku i vërtetë i krizës ekonomike, fakti që është dyfishuar mjerimi, varfëria, fakti që ka shumë më pak besim në ekonomi, shumë më pak kreditim, pra shumë më pak punësim, ka rënie pagash në vend që të kishte rritje pagash, është hajdutëria, jo korrupsioni por hajdutëria e hapur e përqendruar në duart e një grushti njerëzish. Jo drejtorë anonim, por një grusht njerëzish po vjedhin sot qindra milionë euro taksa të shqiptarëve në dogana, në prokurime të drejtpërdrejta, në koncesione. Kjo do të mjaftonte për ta shporrur këtë qeveri një orë e më parë por edhe kjo nuk është mjaftueshëm. Qeveria jo vetëm që është zhytur në korrupsion, Edi Rama ka bekuar tenderat qindra milionë euro siç është tenderi i Vilma Nushit për check-up i cili nuk kryhet, por bëhet në mënyrë fiktive dhe për të cilin duhet të ketë një hetim të plotë dhe të thellë nga prokuroria për t’i vënë para përgjegjësisë këta hajdutë me çizme që vjedhin çdo muaj 1 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve. Tendera të tjerë siç është ai i sterilizimit për të cilin shteti ka investuar një herë dhe tani investon përsëri duke i dhënë para një kompanie me një pronar, një murator në Bolonja të cilin as ministri i Shëndetësisë, as kryeministri nuk e njeh por kanë bërë fotografi në kohë fushate. Të një qeverie ku në kohën ku kryefamiljarët shpeshherë drejtohen drejt vetëflijimit sepse nuk u dalin dot përpara fëmijëve të tyre, natën porosit 40 “Jaguar” me prokurim të drejtpërdrejtë tek ndërtuesi i vilës së kryeministrit dhe pasi ndodh e gjitha kjo për t’i vënë kapakun, ndalojnë apo pamundësojnë hetimin duke i dhënë vetes privilegje mbi ligjin dhe sipër ligjit, siç ishte rasti i ndalimit me ligj i mega-aferës së CEZ, 600 milionë euro… E vetmja forcë që mbetet për të ndalur është vullneti i sovranit në një demokraci normale këto janë zgjedhjet. Se çfarë ndodhi me dy palë zgjedhje nën drejtimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës ne e pamë, s’patëm surpriza. Janë po këta të dy, me shumë e shumë thinja në kokë por me të njëjtin pasion për të vjedhur, prishur zgjedhjet, për të investuar banditët siç kanë qenë në vitin 2001 e në vitin 2003 respektivisht… Ne duhet t’u japim qytetarëve edhe zgjidhje dhe si demokratë besojmë se zgjidhja është në sistemin e demokracisë me zgjedhje të lira e të ndershme. Por zgjedhje të lira e të ndershme me Edi Ramën kryeministër dhe me horrat e zuzarët e tij në ministrinë e Brendshme e ministrive të tjera që marrin fondet e taksapaguesve shqiptarë, vjedhin 10 e 1 ta rikthejnë si ryshfet për të blerë votën e për të kërcënuar qytetarët nuk ka e nuk mund të ketë. 23 qershori e provoi këtë katërcipërisht, ishte një provë gjeneralë ku shqiptarët dhe ndërkombëtarët e panë se çfarë kasapërie bënë Edi Rama dhe Ilir Meta mbi votën e lirë të shqiptarëve. Dhe unë dua t’iu premtoj qytetarëve shqiptarë që vota e tyre nuk do të preket e nuk do të cenohet më, pa bërë betejën më të plotë, më të thellë, dhëmb për dhëmb e sy për sy, pa dalë fitimtarë siç dolën në rastin e dekriminalizimit, siç do të dalin në rastin e reformës së vërtetë në drejtësi që do të luftojë korrupsionin, por do të pamundësojë kapjen politike të sistemit.
Z.Basha, në seancën e fundit parlamentare u miratua në fakt ngritja e komisionit për Kodin Zgjedhor, është një debat që është hapur kohët e fundit. PD do të marrë pjesë në këtë komision?
Po, Partia Demokratike do të marrë pjesë, Komisioni Zgjedhor është një rutinë.
Do të ketë propozime konkrete, përfshi edhe sistemin?
Sigurisht, jemi të hapur të diskutojmë për sa i përket sistemit, por problemi nuk është sistemi. Problemi është tek vullneti politik…
Z.Basha, ekspertët e PD janë angazhuar në një program qeverisës, të paktën baza e ekonomisë është bërë e ditur, është prezantuar. A mendoni se opozita mund të krijojë besim tek qytetarët duke u angazhuar më shumë në programet qeverisëse? Mendoni se ka arritur të krijojë besim? Apo ndoshta më drejtpërdrejt, Lulzim Basha mendon se i ka bindur shqiptarët të jetë kryeministri i tyre?
…Opozita, PD, Lulzim Basha ka nisur t’iu shpalosë shqiptarëve vizionin tonë, rrugën në të cilën ne shohim ecjen e Shqipërisë për të dalë nga kriza në radhë të parë dhe e dyta për të kthyer zhvillimin ekonomik në vend, për të kthyer rritjen ekonomike dhe për t’iu kthyer shqiptarëve shpresën dhe besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe jo më e keqe se e sotmja. Pra, për një ekonomi të fortë dhe për një të ardhme dhe të nesërme të sigurt. PD e ka nisur këtë proces, e ka inauguruar me paketën fiskale, me programin tonë fiskal. Në janar do të jetë radha të diskutojmë të tjerë komponentë të programit tonë politik dhe ekonomik për nxjerrjen e vendit nga kriza…
Z.Basha, kujtojmë që në vitin 2013, në fakt premtimet e kryeministrit Edi Rama nga opozita në vazhdimësi cilësoheshin si premtime piramide. Ishin premtime mjaftë entuziaste për sa i përket qytetarëve, kryesisht edhe për biznesin. A garantoni ju se edhe premtimet e opozitës, Partisë Demokratike sot, nuk kanë të njëjtin fat?
Ka një oqean midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës si në përgatitje, si në formim, si për konceptet për shtetin ligjor, për ekonomin. Ka një oqean midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në rekordet e qeverisjes në këto 25 vite. Ne ulëm taksat në vitin 2006 dhe ekonomia na u përgjigj pozitivisht, ulja e taksave jo vetëm stimulon biznesin por lufton informalitetin. Ulja e taksave, investimet publike, rritja e investimeve sociale, siç janë shëndetësia dhe arsimi, janë rruga e duhur për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza e thellë që e ka pllakosur. Ndaj ne ecim në një rrugë të cilën e kemi përshkruar edhe më parë në parametrat të veçantë të saj në një situate tjetër të Shqipërisë, por ecim me një tjetër vendosmëri, më një tjetër vizion, me një tjetër thellësi bindje siç është edhe propozimi jonë për uljen e TVSH nga 20-15%, siç është propozimi ynë për Shqipërinë, vendi më konkurrues për sa i përket taksës së sheshtë 9%, sepse rrugë tjetër për bërjen e Shqipërinë tregun më konkurrues në Ballkan nuk ka e nuk mund të ketë… Qëllimi ynë nuk është ardhja në pushtet, qëllimi ynë është nxjerrja e Shqipërisë nga kriza, ne kemi kapacitetin, vizion dhe ekipin për ta bërë ketë dhe jam i bindur që shqiptarët do të na besojnë ne një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me votën e tyre.
Z.Basha, për t’iu rikthyer edhe një herë aksionit të opozitës. Keni lajmëruar në janar një aksion të fortë kundër korrupsionit duke deklaruar se qytetarët bashkë me opozitën do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë. Çfarë do të thotë kjo? Si kuptohet?
Unë mendoj se janari do të sjell zhvillime dhe duhet të sjellë zhvillime të fuqizimit të qytetarit dhe zërit të tyre. Është e domosdoshme dhe është në fakt kursi normal në rrjedhën normale të gjërave që kur asgjësohen parimet bazë të shtetit ligjor të demokracisë qytetarët të përgjigjen. Unë nuk jam partizan i anarkisë e cila për fat të keq është një fazë, një hallkë e zemërimit e revoltës popullore që e kemi parë në vendet fqinje dhe në vendet europiane. Pikërisht për të shmangur një shpërthim anarkik është vullneti im që të bazohem në përvojat më të çmuara të shoqërive, të individëve të lirë, kulturës perëndimore demokratike, për të kompensuar mungesën e shtetit ligjor, mungesën e transparencës, presionin e jashtëzakonshëm mbi mediat e lira duke i dhënë qytetarëve një mundësi që të konstatojnë dhe të veprojnë brenda suazës ligjore dhe institucionale duke ushtruar dhe të drejtën e tyre për të arrestuar në kuptimin figurativ dhe ligjorë të fjalës korrupsionin dhe të korruptuarit. Për format dhe mënyrat mendoj se janari do t’i tregojë.
Kjo është formë e mosbindjes civile?
Sigurisht është një formë e pastër e mosbindjes civile.
Bllokim rrugësh, bllokim institucionesh?
Për format e mënyrat, besoj se ne si opozitë, ju si media bashkë me qytetarët do të flasim në vazhdim.
















