Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e cilësoi protestën e së shtunës, si një protestë masive të halleve të përbashkëta, ku qindra mijëra protestues dolën në shesh. Kreu i opozitës e cilësoi situatën si eksplozive, duke kërkuar nga kreu i qeverisë reflektim. “Kam kënaqësinë të falenderoj nga zemra një për një të gjithë shqiptarët që u mblodhën në protestë, dhe për ata që dhanë kontributin e çmuar për evidentimin e problemeve reale. Protesta konfirmoi hendekun që ekziston mes një Shqipërie që digjet nga hallet dhe një pjese tjetër që krihet. Rama nuk doli nga bunkeri i Enverit, nuk e pa revoltën e një populli, të cilën e pa si një sulm të armiqve të brendshëm. Ai i hedh benzinë zjarrit me vazhdimin e rrugës së të keqes. Dënojmë me forcë qëndrimet provokuese të Kryeministrit dhe e ftojmë që të kuptojë situatën eksplozive të vendit, të reflektojë për shkak të politikave të gabuara dhe të papërgjegjshme, të dëgjojë qytetarët që flasin në protestën e së shtunës”, tha Basha. Ai tha se protestuan njerëzit e rrezikuar nga rënia e ekonomisë, nga taksat e ekzagjeruara, nga varfëria dhe mungesa e shpresës, kundër rritjes së çmimeve, kundër projektbuxhetit të rrënimit të ekonomisë dhe pasurimit të oligariksë. Kryedemokrati u shpreh se në shesh ishte Shqipëria e së ardhmes, ndërsa protestën e cilësoi si një manifestim të madh, të vlerave dhe kulturës demokratike. Kreu i PD kërkoi në emër të shqiptarëve që Kryeministri të ndalë rritjen e çmimit të energjisë, të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, për të papunët, fermerët dhe shtresat në nevojë si dhe të shqyrtojë projektbuxhetin me grupet e interesit. Basha kërkoi nga Kryeministri Rama që të heqë dorë nga rritja e çdo takse, e çdo tarife dhe akcize si dhe të ulë në 10% nivelin e taksimit maksimal, të mbajë premtimin për legalizim falas, të mos rrisë tarifën në universitete, të ulë shpenzimet e shfrenuara qeveritare dhe ti kalojë për investime publike dhe të kthejë në detyrë Policinë e Shtetit. Basha tha se asnjë shqiptar, përveç ministrave, nuk është i kënaqur me këtë qeverisje, duke shtuar se respektimi i kontratës me qyetarët nuk është çështje dëshire, por detyrim. “Je kthyer në barrën më të padurueshme për shqiptarët, reflekto ose largohu. Nëse Kryeministri është i vendosur në rrugën e papërgjegjshmërisë dhe zullumit, protestat nuk do të ndalen por do të jenë edhe më të fuqishme, deri në vendosjen e objektivave të shpallura”, u shpreh Basha.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















