Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon qeverinë Rama për paaftësi dhe arrogancë. Nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, Basha kërkon uljen e taksave dhe largimin e personave që kanë përgjegjësinë e emërimeve në administratë, duke i quajtur këta të fundit zuzarë. Sipas kreut të selisë blu, ekonomia kërkon investime, stimuj dhe vizion, jo shkatërrime, terror dhe propagandë.
“Papunësia, varfëria dhe recesioni po prekin çdo ditë qytetarët. Rinia endet e pashpresë për një vend pune. Familjarët dhe pensionistët nuk kanë të ardhura të shtyjnë muajin. Qeveria shquhet vetëm për arrogancë dhe paaftësi. Kemi kryeministrin me antibiznes në të gjithë rajonin.
Në vend që të merret me ekonominë, punësimin, varfërinë në rritje, bredh si Robert Çamçakëzi, kantiereve të qeverisë së kaluar duke lëpirë atë çka pështyu deri para një viti. Nuk mashtrohen më njerëzit me bojëra dhe bahçe. Ul taksat, hiq tvsh e energjisë, largo zuzarët nga qafa e punëdhënësve! Ekonomia kërkon investime, stimuj dhe vizion jo shkatërrime, terror dhe propagandë!”- shkruan Basha.















