Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vazhdon të akuzojë qeverinë për gjendjen alarmante që ka prekur vendin në të gjitha fushat. Por mbi të gjitha, kryedemokrati, i cili ka pasur sot një takim me gratë sipërmarrëse, e ka vënë theksin te papunësia e madhe e shqiptarëve dhe mesazhi i Bashës është që shteti duhet të ndryshojë, “përndryshe do të ndalet nga forca e sovranit”.
“Gjërat janë keq e më keq dhe po shkojnë keq e më keq, – deklaroi Basha. – Nëse qeveria nuk ndryshon, do ta ndalim me forcën e sovranit, i cili çdo ditë po ngre zërin në protesta. Papunësia po mbërrin në nivele alarmante dhe shumë gra po vuajnë mungesën e punës, ose atë të humbjes së punës. Ligji nuk vendoset me terror, por me dialog, marrëveshje he bashkëpunim”.
“Të bësh sot biznes është kurajë e madhe, të flasësh për biznes, kur njerëzit luftojnë për mbijetesë, është e vështirë. Biznesi sot është i kërcënuar, qytetarët janë gjithnjë e më të varfër. Një në tre shqiptar është i zhytur në borxhe për konsumin ditor dhe bukën e gojës”, – përfundoi Basha.
















