Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka kujtuar sot Sokol Olldashin, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të tij, pas një aksidenti automobilistik.
Basha e përshkruan Sokolin si një njeri i cili nuk e pranonte kompromisin me antivlerën në kurriz të qytetarëve, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Për Bashën, Sokoli ishte një njeri që dinte të rezistonte e të rrezatonte kurajo dhe forcë.
Basha shkruan në Facebook, se pavarësisht mungesës së Olldashit, ai vazhdon të jetë një forcë që e shtyn PD-në në misionin e saj.
Ndërkohë sot, përmes një ceremonie të veçantë me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta, familja dhe miqtë do të përkujtojnë Sokol Olldashin, i cili ka dhënë një kontribut si ministër i Transporteve dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2001.
Ja postimi i plotë i Bashës:
Ditët dhe muajt ikën rrufeshëm dhe ja ku jemi një vit pa Sokolin. Ditë të vështira, të dhimbshme pa të, për familjen, miqtë dhe kolegët.
E kam kujtuar shpesh këto kohë sfidash të rëndësishme dhe jo të lehta. Më ka munguar fjala dhe vendosmëria e tij prej një luftëtari të paepur të shumë betejave politike.
Sokoli nuk e pranonte kompromisin me antivlerën në kurriz të qytetarëve, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Ai dinte të rezistonte e të rrezatonte kurajo dhe forcë në ditë jo të mira si këto që po kalojnë qytetarët tanë.
Pavarësisht se mungon fizikisht, ai është sot impuls dhe forcë për të gjithë ne, për të çuar përpara misionin e tij, misionin tonë të madh.
Ditët, muajt, vitet do të kalojnë por ai do të mbetet përjetë mes nesh, I qeshur, I vendosur dhe I guximshëm.















