Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Botërore në Tiranë, ka shprehur shqetësimet e opozitës mbi arbitraritetin e qeverisë dhe përkeqësimin e treguesve të ekonomisë dhe pasojat e drejtpërdrejta si papunësia në rritje dhe rënia e fuqisë blerëse të konsumatorit shqiptar.
“Veprimet antiligjore nga ana e qeverisë, si prishja e kontratave dhe koncesioneve, prishja e ndërtimeve me leje, mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, kanë thelluar pasigurinë ligjore dhe përkeqësuar gjendjen në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Qeveria nuk ka asnjë vizion dhe i mungon vullneti për të marrë masa konkrete. Ka vetëm propagandë dhe shoë mediatik, por asnjë plan konkret në mbështetje të zhvillimit. Biznesi dhe punëkërkuesit përballen me indiferencën dhe arbitraritetin e qeverisë çdo ditë”, është shprehur Basha.
Ndër të tjera kreu i PD-së theksoi rëndësinë e transparencës duke shprehur shqetësimin për manipulimin e statistikave nga ato që publikohen.
“Ju inkurajojme maksimalisht që t’u tregoni shqiptarëve gjithnjë të vërteten, sfidat dhe rreziqet me të cilat ata përballen”, tha Basha.














