Edi Rama nuk ka gjetur kohë të udhëtojë drejt zonave të përmbytura në Shkodër, megjithëse situata e rëndë vazhdon prej 19 ditësh. Në vend të shihte nga afër dëmet dhe të takonte banorët e zonës, kryeministri fluturoi drejt Turqisë, sepse duhej të bisedonte për linjën e re ajrore Air Albania.
Por banorëve të Shkodrës, i bëri një krahasim të situatës me një postim në profilin e tij në Facebook. Duke bashkangjitur dy foto, Rama tenton të tregojë të vërtetën e tij për atë që po ndodh, përtej asaj që e quan “propaganda e kazanit digjital”.
Të dyja fotot janë bërë në qytetin e Shkodrës. Bashkia raportoi këtë të dielë, se gjithsej janë 500 hektarë të përmbytur, zona ku banorët nuk furnizohen as me ujë, as me energji elektrike.
Në Obot dhe Dajç, Rama dërgoi zv.kryeministren Senida Mesi, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatin dhe Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçkën.
Në Shkodër ka qenë këto ditë edhe Lulzim Basha, që i transmeton direkt në Facebook ankesat e qytetarëve që takon. Në njërën prej videove që publikoi Basha, banorët e prekur nga përmbytjet thanë se një kryeministër që nuk shkon t’i shohë në ditë të tilla, për ta nuk vlen asgjë.
Video më poshtë:
Situata në Shkodër vazhdon të jetë dramatike. Banorët janë të izoluar nga uji dhe lëvizin vetëm me varka. Në disa foto që shpërndau agjensia fotografike LSA, duket qartë që fshatrat e Shkodrës janë të zhytur nën ujë.
Mohimi që Rama i bën përmbytjeve në Shkodër dhe krahasimet cinike me kohën e Berishës, janë të vështira për t’u shpjeguar. Lapsi.al solli një deklaratë të Ramës, kur ai ishte në opozitë. Asokohe, kryesocialisti i quante katastrofa përmbytjet në Shkodër dhe e drejtonte gishtin nga institucionet inekzistente.