Banorët e Shkozës vazhdojnë përpjekjet për pronat e tyre. Mëngjesin e së dielës, ata kanë marshuar në këmbë drejt ambasadës amerikane.
Mes protestuesve ka pasur edhe fëmijë, të cilët mbanin në duar pankarta “Help me USA”.
Banorët i kanë drejtuar një letër ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe asaj të BE, Romana Vlahutin, në të cilën kërkojnë ndihmë.
Sipas tyre, projekti i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka nisur zbatim në zonën ku ata kanë ngritur banesat e tyre, që janë në proces legalizimi prej 12 vitesh.
Ata kërkojnë dëmshpërblimin e banesave dhe jo bonusin e qirasë. Sipas tyre asnjë projekt nuk është afishuar më parë për t’i paralajmëruar dhe për këtë akt nuk është marrë asnjë konfirmim nga komuniteti.
Ndërkohë për protestën e tyre ka reaguar edhe kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai tha se opozita do të kërkojë shpronësim sipas vlerës së tregut për këto familje.
“Nxjerrja ne rruge e 150 familjeve ne Shkoze, me nje te rene te lapsit, i kalon kufinjte e mashtrimit, dhe eshte nje krim i vertete. Ne fushate ishte Edi Rama qe permes mashes se tij ne Bashki, u premtoi shpronesim sipas tregut. Pasi ju mori voten ju thote do ju jap bonus strehimi. Por pertej mashtrimit tipik te Edi Rames, kemi te bejme me nje krim, se krim eshte te permbysesh jeten e 150 familjeve, burrave e grave, femijeve e te miturve, te moshuarve. Ka vetem nje menyre per te zbutur kete drame, shpronesim sipas vleres se tregut. Ne do ta kerkojme me ngulm kete,” shkruan Basha në FB.






















