Nuk e di nëse ishte rastësi, por avioni çarter me të cilin Edi Rama udhëtoi në Serbi, ishte një avion boshnjak i qytetit të ndarë të Mostarit. Në aeroportin e Beogradit po uleshin rreth gjashtëdhjetë shqiptarë me kryeministrin e tyre, me një avion boshnjak që lexonte në krye të tij Mostar. Dukej sikur Beogradit po i shkonte brenda ditës për vizitë gjithë historia që ka prodhuar 20 vitet e fundit me luftë në Ballkan.
Në të vërtetë, pak orë më vonë, gjithçka dukej se u rihap. Kryeministri Vuçiç, një serb me të shkuar të egër nacionaliste, i akomoduar në shtabin e luftës në Bosnjë, hoqi kufjet ndërsa kryeministri Edi Rama filloi të flasë për Kosovën dhe problemin e njohjes së pavarësisë së saj, si një realitet i pandryshueshëm.
Pak më vonë situata evoloi në replika publike dhe Rama me Vuçiçin nuk u përgjigjeshin më gazetarëve, por njëri-tjetrit. Për një moment u duk se takimi u minua. Rama u përpoq ta ç‘tensiononte situatën me batuta dhe me lirinë që ka brenda vetes për të mos u kompleksuar nga ato që thotë. Për një moment ju drejtua në emër Vuçiçit, duke i thënë “Aleksandër, eja në Tiranë thuaji gjithë ato që mendon për ne dhe nuk do ndjehemi të poshtëruar”. U pa se ishte një moment i mirë të mbyllej me aq dhe të dy kryeministrat dolën së bashku për të hyrë në një sallë tjetër ku do të drekonin. Aty beteja e fjalëve ka vazhduar, por edhe tensioni është çliruar. Dy orë më pas, kur Rama u ritakua me ne në hollin e hotel Hyatt, dukej më i qetë dhe i qartë për çfarë kishte ndodhur. Ai ishte i qetë për atë çfarë kishte thënë dhe i qartë se beteja për të folur dhe punuar me serbët duhet vazhduar. Tregoi disa detaje se si në takimin paraprak me Vuçiç ishte folur gjatë për këtë temë dhe me sa duket ai i kishte kërkuar të shmangte Kosovën nga fjalimi. Kjo e kishte shtyrë takimin e tyre nga 20 minuta në 60 minuta. Por, në fund u thanë ato që duhet të thoshte secila palë.
Paralelisht me Ramën, një grup biznesmenësh shqiptarë kishin diskutuar tek Dhoma e Tregtisë Serbe për plane të ndërsjellta biznesi në dy vendet, pa dëgjuar dhe ndjerë tensionin e “Pallatit Serbia” ku ishin gazetarët. Me sa duket ekonomia është më e lirë kur i ka larg politikanët, por nga ana tjetër liria e saj merr fund, nëse ata nuk udhëheqin planet e tyre.
Forumi i pasdites me Dushan Janjiç, një intelektual liberal i Beogradit, ishte po në këtë linjë. Kryeministri i Shqipërisë vazhdoi të përsërisë qëndrimin se, pavarësisht qëndrimeve ekstremisht të ndryshme të Serbisë dhe Shqipërisë, Kosova është një realitet që nuk ka kthim pas.
Por, a ka një bilanc kjo vizitë?
Besoj që po. Rezultati i parë pozitiv i saj është se Serbia duhet të mësojë të dëgjojë nga Shqipëria atë që duhet për Kosovën. Por, duhet ta dëgjojë në shtëpi të saj, si problem të saj dhe si një pengesë të saj për të ardhmen europiane. Kryeministri Vuçiç e ka dëgjuar dhe herë të tjera atë që i tha Edi Rama. E ka dëgjuar nga Merkeli, nga Baroso, nga Fyle dhe liderë të tjerë europianë dhe nuk ka reaguar, por ka ulur kokën i skuqur. Kur e tha Edi Rama reagoi keq, për shkak të një mentaliteti racist që serbët kanë të ngulitur për Shqipërinë. Ai nuk e pranon dot që një shqiptar mund t’i thotë atë që i thotë Perëndimi dhe ky është një problem, nga i cili duhet të çlirohet ai dhe politika serbe. Kryeministri i Shqipërisë nuk i foli si nacionalist shqiptar, por si kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, duke shprehur pa komplekse atë qëndrim që ka Shqipëria për Kosovën. Ka shumë kritikë nën zë për këtë çështje që e quajnë teprim, por do të ishte më e turpshme që Edi Rama të rrumbullakoste gjuhën në qëndrimin zyrtar të Shqipërisë për Kosovën . Dhe në fund të fundit, përse duhet ta bënte?! Nëse Serbia dhe Shqipëria duhet të ecin drejt një raporti real mes tyre, nuk duhet të ndërtojnë një besim të ngritur mbi gënjeshtra. Kontakti i parë mes tyre u shoqërua vërtetë me flakë, por kështu edhe pritej të ishte. Nëse të dy palët mësohen të dëgjojnë nga njëra-tjetra atë që mendojnë, do ta kenë dhe më të lehtë të bashkëpunojnë pa komplekse dhe mbi një politikë më pragmatiste.
Një tjetër rezultat pozitiv i vizitës është një vëmendje e re e Shqipërisë ndaj komunave shqiptare në Serbi, Preshevë dhe Bujanovc. E pyeta Edi Ramën se çfarë problemi identifikon Beogradi për shqiptarët e Luginës dhe ai tha pak a shumë se nuk janë gati t’u japin shqiptarëve të Luginës, atë që Kosova u ka garantuar serbëve që jetojnë në Kosovë. Dhe tha, se në këtë pikë Shqipëria nuk do të tolerojë. Për shkak të vëmendjes së madhe që ka marrë Kosova në politikën e jashtme të Shqipërisë, Lugina e Preshevës dhe e Bujanovcit ka qenë thuajse e anashkaluar nga axhenda diplomatike e Tiranës. Kjo është hera e parë që Shqipëria fokusohet kaq qartë dhe kaq qetësisht në këtë problem. Tensioni i prodhuar në Beograd kundër udhëtimit tonë nesër drejt Preshevës duket se është i stisur dhe rrezikon të nxisë më shumë një retorikë nacionaliste tek shqiptarët e Luginës, se sa do të nxiste një vizitë normale e qetë dhe pa paragjykime.
Por, rezultati më i mirë i vizitës është ajo që mund të quhet gjimnastikë diplomatike e Perëndimit për rajonin. Vizita u krye nën nxitjen dhe mbikqyrjen e Brukselit dhe nismës së kancelares Merkel. Dhe natyrisht që efekti real i saj do të shikohet se si e percepton Perëndimi këtë vizitë. Fakti që vizita shpërtheu tensionet e vjetra dhe nxorri në shesh problemet reale që ekzistojnë, është një gjë pozitive. Perëndimi duhet të mësohet se mes Serbisë dhe Shqipërisë, ose më mirë se mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, nuk mund të shmanget problemi i Kosovës. Ai do të diskutohet dhe do të prodhojë tension përjetësisht, derisa palët të mësohen që Kosova është një histori e re, e cila garanton paqen, vetëm kur të pranohet si e tillë. Për këtë arsye nuk mendoj se Merkel apo Brukseli janë të shqetësuar pse u tensionua situata në Beograd, por duhet të jenë të lehtësuar që të dy kryeministrat thanë çfarë menduan. Vetëm kjo mund të shërbejë si bazë për të kuptuar se në çfarë niveli janë raportet reale mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Nëse gënjejmë, nëse shtiremi si në epokën e bashkim-vëllazërimit të vitit 1948 apo nëse jemi jo transparent, nuk ndihmojmë dot as Europën, as veten në këtë proces, i cili vjen nga 15 shekuj armiqësi dhe s’mund të kalojë me 15 vite çlirim të Kosovës.
Mbi të gjitha, ky proces nuk vlen vetëm për të ekspozuar problemet tek Europa, por dhe për të edukuar shoqëritë tona. Vuçiç natyrisht e ka më të vështirë se Rama të bindë serbët për këtë proces, ndaj dhe duhet mirëkuptuar kërcimi i tij si gjel kur përmendet Kosova. Serbia është një shoqëri e rritur me ndjenjën e epërsisë ndaj shqiptarëve dhe do t’i duhet kohë të pranojë se të jesh i barabartë dhe i vërtetë nuk do të thotë të vetëposhtërohesh. Vetëposhtërimi që serbët shpikin sa herë përballen me problemet e shqiptarëve, është një atavizëm që vjen nga mentaliteti i tyre për t’u vetëviktimizuar përballë kundërshtarit. U ndjenë të poshtëruar para një droni amator që shëtiste një poster patriotik shqiptar dhe u ndjenë po njëlloj kur kryeministri shqiptar përmendi me realizëm problemin e Kosovës. Është një komb që ngre mite mbi dështime dhe vetëposhtërime për të justifikuar agresionin ndaj shqiptarëve. Sot ky atavizëm u shfaq sërish, por jo deri në fund. Jo si një bindje, por edhe pak si teatër. Të gjithë duan nga pak kohë të çlirohen nga ëndrrat e këqija. Serbia duhet t’ia nisë nga mosparja më e ëndrrave me shqiptarë që e mundin dhe i mund.
















