Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet për lehtësim të tregtisë midis dy vendeve dhe marrëveshjet tjera të nënshkruara në mes dy qeverive, në mënyrë që të eliminohen të gjitha barrierat tregtare dhe që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik e tregtar në mes dy vendeve.
Ministrja Bajrami ka qenë pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës, të udhëhequr nga Presidentja Atifete Jahjaga, që vizitoi Shqipërinë, të enjten dhe të premten.
Ministrja Bajrami, përveç takimeve në kuadër të delegacionit, ka zhvilluar një takim bilateral edhe me homologun e saj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Në këtë takim ajo ka theksuar se shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërinë janë rrituar dukshëm vitet e fundit, por ekziston ende një disbalanc tregtar në mes dy vendeve.
Ajo ka shprehur shqetësimin e saj që rritja e ngadalshme e eksportit kosovar për Shqipëri mund të jetë ndikuar, përveç tjerash, edhe nga barrierat teknike, me të cilat po përballen disa kompani kosovare, të cilave po u pamundësohet eksporti në Shqipëri, për shkak të barrierave jotarifore e burokratike.
Krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e linjës Arben Ahmetaj dhe Edmond Panariti janë zotuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të ngritura dhe për këtë të dy delegacionet janë dakorduar të hartojnë një plan veprimi me afate të caktuara kohore.
















