Lirimi i policit Roland Meta nga akuzat e ka tronditur babain e autorit të atentatit të 5 janarit në rrugën e Kavajës, që ai e vrau. Behar Baze thotë se kjo është një vrasje e dytë dhe se gjithcka është bërë që kjo histori të mbyllet dhe e vërteta të mos merret vesh asnjëherë. Edhe vrasja e Artur Bazes u bë për t’i mbyllur gojën, shpehet ai në një intervistë për gazetën Panorama. Për Beharin, reagimi i policit që e ndoqi të birin për 200 metra, nuk ishte për vetëmbrojtje, por për të varrosur të vërtetën bashkë me të.
“Djali është vrarë gati 200 metra larg vendit të ngjarjes. Është qëlluar pas shpine. Çfarë vetëmbrojtjeje është kjo? Polici e ka ndjekur djalin tim nga lokali e deri te ajo rrugica ku u gjet i vrarë. Pse, vetëmbrojtje është kjo?! Me aq sa më kanë thënë mua, djali e ka qëlluar në këmbë njërin nga ata, pra nuk ka pasur qëllim që të vriste njeri. Ndërsa polici e ka qëlluar atë pas shpine, pra në ikje e sipër”, thotë Behar Baze.
Roland Meta ishte në të njëjtën tavolinë me Pajtim Serjanin, personin mbi të cilin qëlloi Artur Baze (Aranit Sterjo). Meta u plagos gjithashtu nga plumbat. Edhe pse nuk ishte në detyrë, ai reagoi duke qëlluar ndaj Bazes dhe duke e lënë të vdekur në një nga rrugët dytësore që lidhen me rrugën e Kavajës. Ai u arrestua pas kësaj ngjarjeje dhe u la i lirë pas 3 muajsh. Shkaqet se përse Baze qëlloi mbi Pajtim Serjanin nuk dihen ende. Dy persona u arrestuan si porositës të atentatit, por u liruan për mungesë provash.
















