Kështu ka deklaruar dje, Besnik Basha nga Fushë-Bulqiza, baba i 10 fëmijëve. Afro një muaj pasi u masakrua me thika nga bashkëshortja e tij 36-vjeçare, Rudina Basha, 45-vjeçari, i cili është mysliman i devotshëm, ka hedhur pas shpine gjithçka. Ai këmbëngul që gruaja e tij e parë e ka bërë krimin në mënyrë të pavetëdijshme dhe kërkon që ajo të lihet e lirë. Ndërkohë, në një intervistë dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Besnik Basha tregon me detaje se si ndodhi ngjarja, sesi gruaja e tij e parë e plagosi me thikë vetëm pak minuta pasi kishin bërë dashuri. Gjithashtu, ai tregoi se është martuar me dy gra, të cilat i do dhe që dëshiron të jetojë në një shtëpi me to.
Një muaj më parë ju u plagosët rëndë nga bashkëshortja juaj, Rudina Basha. Sipas burimeve nga policia, ju jeni goditur 6 herë me thikë. Mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Nusja ime, Rudina ishte në gjendje depresive në momentin kur më goditi. Ajo nuk e ka ditur as vetë se çfarë ka bërë. Nuk është e vërtetë se unë kam 6 plagë thike në trup, por vetëm një. Të tjerat kanë qenë thjesht gërvishtje. Nëse doni, jua tregoj.
Përse ju sulmoi Rudina dhe ku ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi në qytetin e Bulqizës, në banesën që gruaja ime kishte marrë me qira. Ajo ishte larguar nga unë dhe banonte në qytet.
Iku vetë apo e kishit përzënë ju?
Jo, jo. Rudina u largua nga shtëpia pa dëshirën time. Fillimisht shkoi te prindërit e saj, e më pas bëmë marrëveshje që për hir të 6 fëmijëve që kemi të bashkoheshim në një shtëpi me qira në qytet. Ndërkohë që qiranë ia paguanin prindërit.
Ju, e takonit gjatë kohës që ajo banonte në qytetin e Bulqizës?
Shkova te banesa e saj që ta takoja, të bisedonim dhe të arrinim në një kompromis. Rudinës nuk i pëlqeu që unë shkova ta takoja, por më pas u qetësua. Unë qëndrova atë natë me të, madje bëmë dhe dashuri. Më pas debatuam, u grindëm. Unë e kam ofenduar, sepse ky është mentaliteti i malësorit, dhe ajo u mërzit. Unë isha duke fjetur, kur ajo më goditi me thikë në bark. Ishte ora 3 e natës kur në plagosi. Më ka goditur instinktivisht, pa vullnetin e saj. E përsëris, ishte në gjendje depresive kur më goditi, ndaj e kam falur dhe kam shumë dëshirë që Rudina të dalë nga burgu.






















