Azem Syla, deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili sot ishte personi më i përfolur në mediet e vendit, ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë për të dëshmuar pafajësinë e tij.
Në një deklaratë drejtuar redaksisë së gazetës elektronike lajmi.net, Syla ka thënë se dje (e martë, 26 prill), ka qenë në Kosovë dhe ndaj tij nuk ka pasur asnjë fletëthirrje nga organet e hetuesisë.
Përveç kësaj, Syla tregon se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me organet përkatëse.
Syla thekson se asnjë nga pretendimet e ngritura për korrupsion dhe keqpërdorime ndaj tij nuk qëndrojnë dhe se shumë shpejte do ta dëshmojë pastërtinë e tij edhe para organeve të drejtësisë.
Në vijim po e japim të plotë deklaratën e deputetit Azem Syla:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!
– Me shqetësim të thellë kam marrë lajmin sot, për bastisjen e shtëpisë sime në orët e hershme të mëngjesit, nga policia e Eulexit dhe policia e Kosovës.
– Njoftoj opinionin e gjerë se unë deri ditën e djeshme kam qenë në Republikën e Kosovës, duke kryer te gjitha aktivitetet e mia publike si deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
– Unë nuk kam pasur asnjë fletëthirrje nga organet shtetërore dhe nuk kam qenë në dijeni se ka qenë duke u zhvilluar ndonjë hetim ndaj meje.
– Prandaj unë qysh dje pasdite kam lëvizur jashtë vendit me një agjendë time personale.
– Vlen të theksohet se sot gjatë bastisjes së shtëpisë sime, unë kam qenë në kontakt përmes telefonit me organet kompetente që kanë marrë pjesë në bastisje, dhe kam shprehur gatishmërinë time për t’u kthyer në Kosovë dhe për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, në çdo kohë kur ata e shohin të nevojshme.
– Unë Azem Syla dua t’i garantoj familjarët e mi, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës, se asnjë nga pretendimet e ngritura ndaj meje, nuk qëndrojnë, janë të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija. Unë absolutisht jam i pastër, dhe kjo pastërti do të dëshmohet shumë shpejt nga organet e drejtësisë.
– Një jetë të tërë ja kam kushtuar krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Republikës së Kosovës, prandaj jam i prirë fuqishëm të besoj në organet e drejtësisë së vendit tim.
Me respekt!
Azem Syla”.
















