Një tjetër avion për trafik droge i pikasur në territorin shqiptar do të thotë konfirmim i rrugës ajrore të këtij lloj trafiku. Për gazetarin Artan Hoxha rasti i evidentuar ditën e djeshme në Akërni të Vlorës është një lajm i keq. Duke komentuar ngjarjen e fundit, Hoxha tha se këtë herë autoritetet tona në bashkëpunim me ato italiane kanë reaguar në kohë rekord. Ai tha se 3 personat e ndaluar nga policia shqiptare janë pjesë e një grupi të njohur në zonën e Vlorës për këtë lloj aktiviteti.
“Ky është një lajm i keq. Me këtë ngjarje është konfirmuar edhe rruga ajrore për trafikun e drogës. Trafikantët kanë arritur në kapacitete të tilla që për aktivitetin e tyre kriminal kanë edhe avionë të vegjël që e kalojnë detin në kohë rekord. Avionët deklarojnë se vijnë për qëllime turistike. Ngjarja e fundit ka ndryshim nga rastet e mëparshme. Autoritetet tona dhe ato italiane kanë reaguar në kohë rekord.
Avioni nuk ka arritur ta marrë dot ngarkesën. Është fakt që Policia e Shtetit dhe policia italiane kanë kryer menjëherë veprimet e para. Policia e Shtetit ka shoqëruar 3 persona. Pavarësisht se janë dhënë vetëm iniciale, 3 personat, pjesë e një grupi të njohur në zonën e Vlorës, e kanë kryer edhe më parë këtë lloj aktiviteti. Informacioni që është dhënë rezulton se sapo është marrë informacioni ka pasur plan masash që ka synuar të identifikojë mjetin ajror, oraret e lëvizjet e tij, pronësinë, kush është baza pritëse, cila ishte ngarkesa dhe baza logjistike. Janë bllokuar në provën materiale edhe 2 automjetet të tjera”, tha Hoxha.
















