Ndërsa shikon fotot e një grushti shqiptarësh që protestuan përpara ambasadës serbe në Londër, të kujtohen protestat e panumërta prej dekadash që kurdët bëjnë në Britani dhe përveç nervozizmit të shoferëve anglezë për bllokimit e trafikut.. thuajse nuk arrijnë asgjë. A mos jemi shumë emocionalë ne shqiptarët, që jemi të gatshëm të kapim flamurin dhe të shkëlqejmë si folklorikë, pa mundur të jemi racionalë? Le të mendojmë vetëm për një moment nëse mund të lobonim tek deputetët “tanë” britanikë, sidomos në zona të caktuara, ku shqiptarët mund të jenë të shumtë në numër. Sa protesta kuq e zi përpara ambasadës serbe, do të barazvlerësoheshin me një letër drejtuar UEFA-s nga një deputet Britanik, zviceran, austriak, australian, kongresmen amerikan etj etj… Nuk jemi të mësuar me të votën se jemi të përjashtuar nga kjo e drejtë(emigrantët e Shqipërisë amë)… nga klasa politike shqiptare… e kushedi edhe për sa kohë… ndërsa shqiptarët e Kosovës këtu në Londër u regjistruan plot 31 për të votuar në zgjedhjet në Kosovë…
Pra nuk mundëm të jemi racionalë, ne si mërgimtarë, por ama plotësisht në sinkron me klasën politike shqiptare në rajon, plotësisht në sinkron me FSHF-në e me gjithçka tjetër shqiptare. Mjafton si shfajsim?
Pas vendimit të UEFA-s vazhdojmë të fyejmë e të shajmë duke e shprehur me të drejtë zemërimin tonë, pa mundur të kemi një strategji (ndryshe nga ajo e kurdëve), e jo vetëm për futbollin. Të paktën të vetëdijesohemi dhe t’i shohim gjerat me syrin e ftohtë të një “perëndimori” dhe të mundohemi të peshojmë fjalën dinjitet në peshoren ballkanike.
A mundëm ne që të reagonim denjësisht kur Federata serbe e Futbollit kaloi deri në tallje me shqiptarët, herë duke kërkuar pasaportat për tifozët, ( duke tentuar të përçajë shqiptarët) duke shënuar një precedent jo vetëm ballkanik…?
Jo nuk mundëm…
U gjunjëzuam dhe bëmë ashtu siç thanë atë, pasi duket se disa gene vazhdojnë të ruajnë akoma përulësinë ndaj serbëve, që nga koha e Dushan Mugoshës, e që njollat e kuqe në këto gene kushedi sa kohë do të duhen të zbehen e të zhduken. U gjunjëzuam që në aeroplanin e Serbisë që i shtriu krahët në qiellin shqiptar dhe ne sot nuk kemi një kompani ajrore shqiptare. Po po këtë e kemi ditur dhe nuk duam ta besojmë. U gjunjëzuam pra në avionin e Serbisë dhe u mjaftuam me buzëqeshjen e stjuardesave të bukura serbe.
U gjunjëzuam në aeroport kur stafi dhe gazetarët u mbajtën si minjtë në çark siç ju tek autoriteteve serbe. Cila organizatë kombëtare apo ndërkombëtare e dënoi këtë akt për keqtrajtimin e gazetarëve shqiptarë? Asnjë…
U mjaftuam me akuzat në mes të gazetarëve shqiptarë se cili ishte spiuni i serbëve… u mjaftuam me debatet tona shterpë, dhe harruam se gazetarët dhe zyrtarët u kontrolluan deri në të brendshme se mos kishin ndonjë simbol kombëtar.. se kjo ishte e papranueshme për Serbinë… A reaguam kur gazetarët u kontrolluan katër herë nga aeroporti deri në stadium? A reaguam ku u mbajtën në këmbë qe pas daljes nga stadiumi deri në orën 1.30, të shoqëruar nga policë që edhe mund të dinin shqip? Cili ishte reagimi zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, kur himni kombëtar shqiptar u fye në mënyrën më të turpshme?
A pati ndonjë reagim?
Jo zotërinj. Loja filloi si pa të keq… sikur asgjë të mos kishte ndodhur, sikur thirrjet raciste në grup të të gjithë stadiumit për vdekjen e shqiptarëve, të ishin thjesht disa thirrje të një izoluara të papërfillshme, që nuk i prishnin yndyrën gjellës mikpritëse të Beogradit. Duhet t’i ketë shijuar shumë edhe presidentit serb… ua bëmë qejfin. Bravo na qoftë.
Çfarë do të bënte kombëtarja angleze, franceze… apo ah ne jemi të vegjël.. ne nuk ne… as…ah sindromi i viktimës, i fatalitetit… dinjiteti? Nejse…
Të jesh europian a mos do të thotë të jesh dinjitoz së pari? Këtë leksion nuk e kemi mësuar akoma se kemi ca detyra nga BE-ja… që ku të djeg e ku të dhemb…
E gazetarët shqiptarë prezentë në stadium thjesht u bindën (dhe kjo ishte më pozitivja) se për serbët, shqiptarët janë të njëjtë si ata nga Shqipëria apo nga Kosova apo kudo që janë, pra mjafton se janë shqiptarë ( e do zoti se disa kolegë u bindën se për serbët nuk ka aspak rëndësi thënia e tyre… se ajo nuk ishte kombëtarja shqiptare por kosovare… e idiotësi të tilla të këtij lloji). Ra kjo ndeshje dhe u ri-pamë… ujku dhe shqiptari… (Vetëm serbët ua mbushën mendjen kozmopolitanëve…Faleminderit për këtë. )
Thirrjet në kor u harruan ashtu si shashkat, fishekzjarrët e gjithçka tjetër, derisa të vinim tek droni fluturak. Ah kujdes… u prek krenaria serbe… Aman vetëm serbët mos i trazoni… Se flamuri i përgjysmuar shqiptar..si në gjysëm shtizë…nuk kishte shumë rëndësi…
Ndërprerja e ndeshjes solli rrahjen e lojtarëve të kombëtares, (nuk i përzgjodhën fare në ishin të Kosovës apo të Shqipërisë…e neveritshme. Ore ku vajti kosovarizmi..)
Vërtet a mësuan gjë analistët kozmopolitanë? (Nëse po kjo do të ishte një fitore 7 me 0…të paktën nuk do të na i shurdhojnë veshët nga studiot e ngrohta televizive…)
A mundi FSHF-ja t’ia bëjë me dije gjyqtarit të ftohtë anglez se lojtarët kishin ardhur për futboll dhe jo për luftë?
A mundi FSHF-ja të demonstronte të vërtetën dhe asgjë përveçse të vërtetës, përfaqësuesve të UEFA-s, se pse nuk mundej skuadra që të kthehej në fushë? A mundi ta bindte gjyqtarin, se që në fillim të lojës kjo ndeshje nuk mund të bëhej por që tashmë kishte arritur kulmi, dhe duhet të ishte gjyqtari që të kërkonte që skuadra shqiptare të mos dilte në fushë?
Eh po ku kemi juristë ne… ku kemi diplomaci… ne të varfrit mezi i paguam ato shpenzimet në Beograd se në krye të FSHF-së edhe nja 100 vjet do ta kemi të njëjtin njeri, i cili ka votuar.. i cili… etj etj. Po po asnjë kundërshtar nuk kishte kur u zgjodh…madje madje jo vetëm që është i pazëvendësueshëm, por të mos guxojë kush të thotë gjë… sikurse nuk tha. Ke edhe një biletë për mua?
Ishalla nxjerrim mësim…ose më mirë na bëfshin. Ivani ishte aty.. vërtet po ai Ivani i tmerrshëm me gjithë tatuazhet e tij… Nuk mund të mohohet se ishte moment historik mbase i papërsëritshëm… Bukur shumë. Në fakt a mund të bëhej më bukur? Droni bëri që shqiptarët të ndjehen të tillë, jashtë asaj që u imponohet.
U harruam ne festime… në të vërtetë ata, përfaqësuesit, të zgjedhurit, që nga kryeministri e deri tek ata që marrin rrogën për këtë punë…
Serbia vazhdoi punën, qetë-qetë hartoi një skenar shumë të bukur që përbën tamam lajm, që vëllai i kryeministrit ishte ai që turbulloi Beogradin, që banda zyrtare shqiptare ishte përgjegjëse dhe se mediat më prestigjioze u bënë zëdhënëse të politikës serbe, se ne në fakt (dmth të zgjedhurit tonë) o festonim fitoren, në studio sigurisht.. o shqetësoheshim se pse nuk e priti askush kryeministrin tonë ne Amerikë… Se mos harroj se ne Amerikanëve ua treguam qejfin… heh ska lojë me ne shqiptarët se atë porosinë e armëve kimike.. eh Ore me amerikanët e kemi lehtë po me serbët nuk na ecën.. Jo jo. Janë të poshtër na e përlyen kryeministrin me vëlla e me llagap. Po edhe një pjesë e jona ishte në hall, në hall të madh o vëlla se kryeministri do të shkonte pas pak ditësh në Beograd dhe si njeriu i ri i Ballkanit, duhej të tregoheshim evropianë.. se ajo ndeshje iku vajti por ama serbët nuk duhej nervozuar, aman se e dini ju serbët…
U harruam në festime edhe nga deklarata më fyese që mund të bëjë një kryetar shteti, se ne shqiptarët do të na duhen edhe nja 100 vjet për t’u bërë njerëz… (si puna e Ivanit) dhe më të shqetësuar ishim se si do të dukeshim në studiot televizive të shumta lagjeve tona, sesa të kërkonim që të mbrohej dinjiteti ynë.
U mjaftuam me faktin se djemtë e kombëtares erdhën gjallë bashkë me gazetarët dhe anaslistët dhe me të përzgjedhurit e FSH-së.
Të nesërmën kur u zgjuam nga gjumi i pakët dhe zëri i çjerrë, për të treguar sa patriotë jemi, (sidomos në studiot televizive) gati nuk na u besua se Serbët kishin fituar jo vetëm PR, por edhe shkëlqesia e tij Vuçiç do të shikonte nga fundjava sesi do të gdhihej për të vendosur nëse do të ftonte kryeministrin tonë në Beograd apo jo.
Dinjiteti i shqiptarëve? Po të majtë e të djathtë, ballistë e komunistë, do të donim që kryeministri të takonte dikë në Amerikë se Amerikën e kemi xhan… se miku i mirë njihet në ditë të vështira. U ngjallëm pak kur doli deklarata e DASH-it, (e disa prej nesh ulëm kokat..kur kujtuam se kishim protestuar para ambasadës amerikane për punën e atyre kimikeve). Pamë që Amerika ishte përkrah nesh dhe ndryshe nga “profesionalizmi” i zëdhënëses së BE-së…
Stacionet televizive ndërkombëtare kishin dhënë lajmin “me burime të sigurta nga zyra e kryeministrit serb”, për vëllanë e kryeministrit tonë… (Ah sa i zgjuar vëllai i kryeministrit tuaj… ishin shpotitjet e të huajve për mërgimtarët shqiptarë… e ndërmend të vjen ora e vjedhur e presidentit Bush… lajm Made in Albania…tagjikomike?…) Nuk dimë të mësojmë? Akoma jo. Fatalistë? Mbase…
Diplomacia shqiptare? Eh nuk jemi si serbët jo… nuk kemi diplomatë të mirë… nuk… nejse disa nuk i njeh kryeministria, nuk i fton, i injoron edhe në kryeqendrat më të rëndësishme, madje nuk i len të dalin në kanalet më prestigjioze botërore…disa të tjerë…tranzicio-n-nuk ka fund.
Shqipërinë e Madhe apo Serinë Evropiane, tha shkëlqesia e tij Vuçiç…U gajasëm me disa karikatura dhe lajme të ëmbla që vinin nga Kroacia, nga media kroate (Vrite kroatin që të mos ketë vëlla shqiptari…) Bëmë ndonjë peticion dhe numëruam orët deri në vendimin e UEFA-s. Ndërkohë strategjia serbe vazhdonte të funksiononte shumë e lehtë për t’u lexuar, pothuajse e njëjta që nga marrëveshja e Dejtonit.. “As humbës dhe as fitues”… duke goditur me stolin më të rëndë dinjitetin e shqiptarëve të përfaqësuar keq… Po daleni djema se nuk i kuptoni ca gjëra se Putni… Europa… se serbët… As humbës as fitues.
A mësuam gjë ne shqiptarët? Akoma jo?
Në rrjetet sociale numërohen javët që kush flamuri i Shqipërisë etnike u ngrit në Beograd dhe me të drejtën e Zotit shumë e konsiderojnë si fitoren më të madhe të shqiptarëve se edhe sikur 17-0 te dilte ndeshja nuk do të kishte atë emocion, tamam emocion autochthonous.
A mësuam ne shqiptarët autochthonous se Serbia u bë (është) faktor stabiliteti në rajon, dhe se ne ngazëllehemi sa herë përmendet shprehja se shqiptarët janë faktor stabiliteti në rajon, si iso polifoni… dhe kush guxon të pohojë se stabiliteti në Ballkan mbahet në kurriz të shqiptarëve, që nuk guxojmë shumë të përmendim fjalë të tilla që nervozojmë serbët… Se ua kemi dhënë besën ndërkombëtarëve… se ne mbetemi në kuadër të fjalëve, dhe nuk kemi arritur dhe nuk po arrijmë të kuptojmë se “duhet të punojmë çdo minutë çdo orë çdo ditë… për t’u bashkuar në kuadër të Bashkimit Evropian, apo nën qiellin e Evropës”…
Se ne i nisëm disa mbledhje të përbashkëta në Prizren, por i lamë i harruam… e u mjaftuam me rrugën e kombit… me një libër abetareje që nuk njihet në Maqedoni, se në Preshevë jo se jo.
Se ne shqiptarët i kemi ca probleme me patatet, me doganat, me miellin, me çimenton dhe as që na hyn në xhep fare se Serbia i fiton plot 500 milionë euro në vit nga tregtia e lirë me Kosovën. Po po Serbia ka disa marrëveshje me Kosovën që disa edhe zbatohen për hir të së vërtetës… si puna e kësaj për tregti të lirë…
Se ne shqiptarët kur kemi kohë bëjmë ndonjë fushatë për të bojkotuar produktet serbe (part time), madje rrëzojmë edhe ndonjë kamion dhe e kthejmë me këmbë nga dielli..madje madje me demonstrim i hedhim në ndonjë përrua produktet e Myzeqesë apo mollët e Korçës, se ullinjtë dhe agrumet i marrim edhe nga Greqia, e ndonjë mollë a fruta e perime i marrim nga Maqedonia, se nuk kemi kohë për strategji se jemi të zënë me ca reforma me ca detyra të Europës, se na kanë nxjerrë shumë punë ca vendime të gjykatës kushtetuese, se opozita nuk ka qenë dhe nuk është në parlament… se s’kemi vetëm dy akademi shkencash, por ata janë pak të zënë me ca identitete, me ca debate…që prodhojnë bukën e përditshme për median tonë… dhe nuk kanë shumë kohë për të hartuar qoftë edhe një tekst historie të përbashkët… se duhet të kemi të huaj që të na mbikëqyrin se besa…se konstitucionalistët kanë ca vështirësi.. se 70 vjetori i gjysëm çlirimit duhet festuar.. se votat… zgjedhjet janë në prag të derës… se duhen ca para për zgjedhje…e fitorja është në xhep.
Shqipëria amë është e zënë dhe kurrsesi as që mund të bëhet fjalë të ndjekë shembullin e Serbisë…në kuadër të bashkërendimit të faktorit shqiptar…
Se në Kosovë kemi një ngërç disa mujor, rekord ballkanik pa institucione… se japim djalin po jo karrigen… se populli më i varfër rajonit me popullsinë më të re… se harrojmë se Kosova është vendi më i izoluar i rajonit… se pasaporta e Kosovës edhe vlen në disa shtete, se niveli i korrupsionit, se kontrabandistët nuk kanë atdhe as ideale, se paraja…po këto janë çështje të brendshme dhe Shqipëria amë…është e zënë me ca punëra të saja more aman…
Se shqiptarët në Maqedoni janë faktor patjetër, na dhurojnë ndonjë spektakël grushtesh në parlament dhe qeverisja maqedone i sjell si të dojë.. se pushteti për shqiptarët është i shenjtë dhe s’ka asnjë rëndësi zhvillimi i pabarabartë mes zonave ku jetojnë shqiptarët dhe maqedonët. Se kurrë nuk mundi klasa e atjeshme politike të bëhej bashkë për të përcaktuar një vijë të kuqe se deri ku mund të shkohet…se marrëveshja e Ohrit e ka marrë kaq keq tatëpjetën… sa mbahet mend si shprehje…e gjuha shqipe edhe mund të mos lejohet apo të abuzohet me të drejtat e shqiptarëve, mund edhe të burgosen shqiptarët atje e tu jepet ndonjë flamur jo i natyrshëm për protesta. .. për të plotësuar tabllonë e PR-it maqedon…
Se shqiptaret e Malit të Zi… larg qoftë të kuptojnë fjalën bashkëpunim. Se andej vazhdon shtmi i mbiemrave me viç e Ulqini qetësisht bëhet ndryshe… e po flamuri kombëtar nuk duhet të përdoret nga shumë shumë… njerëz se i nervozojmë serbët e malazezët, dhe po me shqiptarët e Malit të Zi thyejmë rekorde për numër partish në krahasim me zgjedhësit atje.
Se shqiptarët e Preshevës edhe i kujtojmë ndonjëherë, kur nuk njihet nga Beogradi ndonjë diplomë e marrë në universitetet shqiptare, kur na vjen ndonjë lajm se edhe atje shqiptarët e kanë ruajtur besën për përçarje, se faktori shqiptar atje ndjek trendin e mahallave të tjera shqiptare…
A jemi realistë ne shqiptarët?
Patriotë, folkloristë, nacionalistë?
Hajde pimë një kafe e folim…
Te kafja e Çoliqit? Ke ndonjë numër apo kontakt të Bregoviçit?

















