Pavarësisht se është thjesht një ndeshje miqësore, shqiptarët do ta përkrahin maksimalisht Kombëtaren.
Në stadiumin “Ernst Hapel” pritet të jenë të paktën 7 mijë tifozë kuqezinj. Këtë shifër e bëjnë të ditur mediat austriake, të cilat shkruajnë se tifozët e Shqipërisë kanë shfaqur interes të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje. Stadiumi ku do të luhet ndeshja mes Austrisë dhe Shqipërisë ka një kapacitet prej 50 mijë vendesh, ndërsa deri dje ishin shitur afro 30 mijë bileta.
Në stadium mund të kishte më shumë tifozë, por federata austriake i ka shitur biletat si paketë edhe për sfidën e ardhshme me Turqinë.
Masat e rrepta
Klima në të cilën do të luhet kjo miqësore nuk është aspak e qetë, duke marrë shkas edhe nga sulmet e fundit terroriste që kanë tronditur Europën. Megjithatë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar sepse autoritetet austriake i kanë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet. Për mbarëvajtjen e kësaj sfide do të angazhohen forca të shumta sigurie, që do të kontrollojnë dhe monitorojnë të gjithë tifozët.
Drejtori i sektorit të garave pranë federatës austriake ka kërkuar nga tifozët që të respektojnë orarin, por i ka këshilluar që të respektojnë të gjitha udhëzimet. Ai ka siguruar se do të ketë kontrolle të rrepta, rritje të personelit për sigurinë.
“Ne duam dhe do të bëjmë gjithçka në mënyrë që tifozët dhe lojtarët të ndihen të sigurt. Ekipet do të jenë nën monitorim të plotë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Dyert e stadiumit do të hapen rreth orës 15:30 dhe tifozët janë të lutur të respektojnë orarin”, ka thënë Bernard Neuhold.
Shqiptarët
Tifozët shqiptarë kanë qenë prezentë në çdo stadium ku ka luajtur Kombëtarja shqiptare dhe kanë krijuar një atmosferë shumë pozitive për ekipin tonë. Diçka e tillë do të ndodhë edhe ditën e sotme, kur 7000 tifozë kuqezinj do të jenë në shkallët e stadiumit “Ernst Hapel”.
Ditën e djeshme, qindra tifozë kanë pritur futbollistët e Kombëtares në hotelin ku ata kanë qëndruar dhe kanë përfituar nga rasti për të bërë foto me lojtarët.
Gjatë kësaj kohe kanë kënduar kore të ndryshme, një atmosferë, e cila ka krijuar një frymë shumë pozitive përpara një ndeshjeje të vështirë dhe të rëndësishme, e cila do të tregojë realisht forcën dhe potencialin e Shqipërisë në Kampionatin Europian. Austria është një kombëtare shumë e fortë, por tifozët besojnë se kuqezinjtë do të marrin rezultat pozitiv.















