Ne lidhje me atentatin që i është bërë drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, dyshohet se bomba është aktivizuar nga një telefon me kartë të blerë në tregun e zi. “Top Channel” përcjell burime nga Prokuroria, ku theksohet se mund të jetëporositur nga një i dënuar i cili ka mbetur i pakënaqur për mos dhënien e lejes për festat e fundvitit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë në rrugë jozyrtare se karta e telefonit me të cilën është telekomanduar shpërthimi me eksploziv në automjetin me të cilin po udhëtonte drejtori i burgut të Fushë-Krujës, është blerë në tregun e zi.
Kjo e dhënë tregon se numri i abonentit është i paregjistruar nga kompania, ç’ka do të thotë se është teper e vështirë për të identifikuar edhe përdoruesin e saj. Grupi i hetimit thotë se ka ngushtuar rrethin e të dyshuarve, të cilet mund të kenëporositur shpërthimin e automjetit të Arben Sulojt, me detyrë drejtor burgu.
“Ne kemi dyshime se atentati mund të jetë porositur nga një i dënuar, anëtar i nje grupi kriminal që po vuan heqjen e lirisë në këtë burg të sigurisë së lartë. Ka shumë mundësi që ky person ka ngelur i pakënaqur nga fakti që Suloj nuk i ka dhënë leje për festat e fundvitit, e në këto kushte ai ka porositur edhe ngjarjen në fjalë”, kanë thënë burimet.
Aktualisht drejtori i burgut të Fushë-Krujës po kurohet jashtë vendit, ndërsa Drejtoria e Burgjeve ka komanduar një tjetër drejtues në këtë burg.
















