Denis Kasaj nuk ishte shenjestra e atentatit të ndodhur në të dalë të Fierit në orën 18.30 të mbrëmjes së të premtes. Ai mbeti viktimë e një sulmi të organizuar ndaj Klement Kastratit, 31 –vjeçarit me banim në Fier që u plagos dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Prokuroria e Fierit, që po heton ngjarjen, ka mbledhur informacione të besueshme që e bëjnë Kastratit objektiv të vrasjes së organizuar në detaje. Ai rezulton i dyshuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2012 dhe një plagosje të ndodhur në vitin 2008. 4 vjet më parë policia e kishte shpallur në kërkim Klement Kastratin për vrasjen e Dh. Gjikës. Por ai nuk u përball me drejtësinë, pasi nuk u gjetën prova që e lidhnin atë me vrasjen. Në vitin 2008 ai u përplas në Fier me dy persona të tjerë, gjatë një konflikti banal. Një sherr makinash, që përfundoi me nxjerrje armësh. Të dy rastet janë nën hetim, si pista të mundshme që mund të çojnë në zbardhjen e krimit. Ndërsa Denis Kasaj nuk rezulton person me precendentë penalë. Ai ishte kthyer në Patos për të kaluar pushimet e fundvitit me të afërmit.
DETAJE NGA ATENTATI
Makina Mercedes Benz me targë AA 414 LC ishte në pronësi të Klement Kastratit. Por mbrëmjen e të premtes në timon ishte Denis Kasaj, shok i Kastratit, që ishte kthyer nga Italia. Në pjesën e pasme gjendej Elton Margariti, që mbeti i plagosur. Atentati besohet se është kryer nga 4 persona. Njëri prej tyre është arrestuar. Ndërsa 3 të tjerë, siç bëjnë të ditur burime të policisë për lapsi.al, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim, por identitetet e tyre nuk bëhen publik për arsye hetimore. Burime të prokurorisë thanë për lapsi.al se të paktën dy prej tyre kanë qëlluar me kallashnikov në drejtim të Benzit, pak metra larg hyrjes së autostradës Fier – Lushnjë, në një vend të pandriçuar pranë “Mullirit të Artë”. Ata kanë patur dijeni për lëvizjen e Kastratit dhe i kanë zënë pritë në kthesë, ku autoveturat e ulin shpejtësinë. Dyshohet se atentatorët kanë patur bashkëpunëtorë që i kishin ndjekur lëvizjet e Kastratit. Kanë zbrazur breshëri dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Lushnjës. Makina që drejtohej nga Denis Kasaj ka marrë flakë si pasojë e një shkëndije elektrike të shkaktuar nga plumbat.
ROLI I TË ARRESTUARIT MEMUSHAJ
I arrestuar si bashkëpunëtor në këtë krim është Ilir Memushaj, 36 vjeç nga Vlora. Ai kap pak orë pas ngjarjes. Lapsi.al mësoi grupi hetimor ka gjetur prova që e lidhin atë me makinën “Toyota” që u përdor nga autorët e krimit dhe që u gjet e djegur 1 km larg vendit të ngjarjes. Dyshohet se makina është marrë prej tij në Tiranë. Ai nuk ka pranuar të flasë. Por emri i tij është përmendur nga njëri prej dy të plagosurve, që siç duket, e ka parë në vendin e krimit. Prej këtij momenti telefoni i tij ka qenë nën përgjim. Pas arrestimit, Memushaj ka dhënë deklarata kontradiktore për lëvizjet gjatë mbrëmjes së të premtes.
MOTIVI I KRIMIT
Edhe pas arrestimit të 36 –vjeçarit Memushaj, prokuroria dhe policia nuk japin detaje mbi motivin e vrasjes. Nga dëshmitë e dy të plagosurve grupi hetimor nuk ka mundur të marrë të dhëna të vlefshme për zbardhjen e krimit, përveç emrit të Memushajt. Por Klement Kastrati mësohet se do të rimerret në pyetje. Ai konsiderohet njeriu kyç në këtë histori. Hakmarrja për dy krimet për të cilat ai është akuzuar përbëjnë një prej pistave. Por një tjetër pistë e besueshme mbi të cilën po hetohet gjithashtu është një konflikt për trafikun e drogës në Hollandë, një vend ku 31 –vjeçari Klement Kastrati ka jetuar për një kohë të gjatë.
















