Ura kryesore e lumit Ibër në Mitrovicë, e cila prej përfundimit të luftës ishte barrikaduar, fillimisht me njerëz të vendosur nga të ashtuquajturat “Roja të Urës” e pastaj edhe me barrikadë zhavorr të përforcuar me beton e me barrikadë të gjelbër të emërtuar nga serbët si “Parku i Paqes”, që ka simbolizuar ndarjen e qytetit në veri dhe në jug, nuk dihet saktësisht se kur do të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve.
Projekti i BE-së për revitalizimin e urës është zbatuar vetëm pjesërisht, pasi që në pjesën jugore janë kryer të gjitha punët, ndërsa në pjesën veriore nuk punohet fare, për shkak të obstruksioneve të autoriteteve komunale të Mitrovicës së Veriut, të cilat prej fillimit janë përpjekur të gjejnë shkaqe për t’i ndërprerë punimet.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke u arsyetuar me disa incidente që kanë ndodhur tek ura të shumtën në pjesën veriore, pati urdhëruar ndërprerjen e punimeve menjëherë pasi që Frederica Mohgerini, shefja e diplomacisë evropiane, kishte vlerësuar se punët janë duke shkuar mirë dhe se hapja e urës do të bëhet shpejt.






















