Asambleistët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kanë reaguar ashpër kundër disa shkrimeve në disa portale, ku thuhet se vendimi për ndërtimin e një shëtitorje afër urës së Ibrit është marrë në prezencë të asambleistëve shqiptarë, të cilët kanë heshtur dhe nuk kanë reaguar për këtë çështje.
Emir Azemi, zëvendës kryesues i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se këto shkrime të cilat janë publikuar në disa portale, janë të pa vërteta dhe nuk qëndrojnë.
Sipas tij, asambleistët shqiptarë fillimisht kishin kërkuar heqjen e barrikadës që është vendosur mbi urën e lumit Ibër.
“Në momentin që është propozuar shëtitorja afër urës, ne kemi kundërshtuar fuqishëm këtë dhe njëherit e kemi quajtur barrikadë të dyfishtë. Ndërkaq, edhe pas kundërshtimit tonë që kjo të mos futet assesi në votim, pala tjetër kishin vendosur një gjë të tillë, me ç’rast në shenjë proteste të gjithë asamableistët shqiptarë kemi lëshuar seancën”, ka thënë Azemi.















