Në auditoret e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ajo nuk mund ta mendonte se një ditë, këtë profesion do ta ushtronte në Angli. Tek ajo ishte rrënjosur dëshira për tu bërë juriste, që të kishte mundësi të ndihmonte njerëzit në lidhje me këshillimin dhe përfaqësimin e tyre para ligjit, që kur kishte filluar të mendonte për drejtësinë, për ligjin si dhe efektin e tij tek njerëzit e thjeshtë.
Kur erdhi në Angli, Arta Heath e mbante këtë ëndërr të fshehur, por e bindur se do të rikthehej tek ajo dhe kurrsesi nuk do të ishte ëndrra e mbetur në sirtar. E sapoardhur në Britani ajo filloi punë si përkthyese për Këshillin e Refugjatëve (Refugee Council), e nëpërmjet punës për Programin Kosova (Kosova Programme) u takua me një avokat i cili pa tek Arta, dëshirën si dhe aftësinë e saj ku i ofrojë të punonte si juriste në kompaninë e tij. Në vitin 2001 ajo ka punuar si supervizore e manaxhere e një departamenti që merrej me fushën e emigracionit, në një kompani tjetër private.
Pasi mori akreditimin si “caseworker” në fushën e emigracionit dhe të azilit në nivelin e tretë, ajo vendosi të ndërrojë punësimin, ku filloi punë për një “Law Centre”, ku ishte supervizore dhe përsëri manaxhere e departamentit të emigracionit, me mundësi që të vazhdonte studimet në ligj, transferimin e diplomës, si dhe mundësinë e kontratës dhe praktikës të specializimit si avokate.
Pas 4 vitesh studimi pa shkëputje nga puna, si dhe punësimi te “Law Centre” në vitin 2010 u pranua nga shoqëria avokatore , “Law Society”, në pozicionin Avokate ( Solicitor). Në vitin 2012 në bashkëpunim me një koleg avokat Joe Power, Arta arriti të krijoj firmën e avokatisë, “Heath and Power Solicitors”, që u autorizua nga zyra e autorizimeve për avokatet (SRA) të japë këshilla ligjore publikut. Pasi kishte një eksperience më shumë se 10 vjeçare dhe kishte prezantuar me qindra çështje azili e emigracioni gjatë karrierës së saj, vendosi që firma të specializohej në këtë fushë, që edhe sot vazhdon të praktikojë në fushën e emigracionit e azilit.
Gjithashtu, si Managing Partner, ajo është përgjegjëse për zhvillimin e biznesit dhe të praktikës së “Heath and Power Solicitors”, si një firmë e specializuar me reputacion, për ekspertizë dhe shërbime të mrekullueshëm ndaj klientit. Duke ndarë bisedën tonë rreth pyetjeve të ndryshme të cilat përbëjnë interes për lexuesin dhe paraqesin informacionin më të rëndësishëm të personazheve tanë, një nga to është edhe cilat kanë qenë stacionet më të rëndësishme të saj, ajo tregon se ai më i rëndësishmi ka qenë dhe do të mbetet punësimi si përkthyese nga Këshilli i Refugjatëve në 1999 në Prgramin Kosova, që ishte një program shumë i suksesshëm, jo vetëm nga fakti që ndihmoi me mijëra shqiptarë të Kosovës që po largoheshin nga lufta, por qe suksesi i këtij programi, hapi rrugën e një ndryshimi të sistemit të mbështetjes së azil kërkuesve nga shteti Anglez, duke krijuar “National Asylum Support System (NASS)” në vitin 2002.
Së dyti ajo vë theksin te punësimi si “Community Liaison Officer” për Këshillin e Refugjatëve, punonjëse për lidhjen e zhvillimit të organizatave refugjate të komunitetit shqiptar në Britani, që i dha mundësi të njihte më thellë komunitetin Shqiptar në Britani, organizatat që e përfaqësonin atë, drejtuesit që me shumë vullnet e këmbëngulje jepnin kohën, diturinë si dhe vëmendjen në ndihmë të komunitetit të ri shqiptar, që njerëzit të gjenin informacion, ndihmë e këshillim në gjuhën e tyre amtare në një shtet të huaj si Britania e Madhe. Rrugëtimi i Artës vazhdon më krijimin e projektit të saj të parë, të një linje telefonike për këshillim e mbështetjen në lidhje me çështjet e ligjit social dhe të edukimit në Angli, për të cilin mori një çmim “Millenium Award” në vitin 2000 e u bë anëtare e Millennium Award Fellowship.
Një pikë e rëndësishme a rrugëtimit apo frymëzimit në karrierën e saj ka qenë takimi me Laurence Saffer, sot gjykatës emigracioni i shkallës së dytë, “Upper Tribunal Immigration Judge”, që pa te ajo aftësinë e një juristi në lidhje jo vetëm me kuptimin e procedurave ligjore dhe interpretimin e drejtë e në mënyre largpamëse të tyre, por në lidhje me prezantimin e tyre në mënyrë të thjeshtë te njerëzit e përfaqësimin e tyre me vendosmëri, përpikmëri e logjikë, përpara organeve vendim marrëse.
Ajo nuk lë pa përmendur , sponorizimin nga “Law Society”, drejt studimeve të mëtejshme në Postgraduate Diploma in Law dhe Legal Practice Course. Dhe një pikë tejet e rëndësishme e udhëtimit të Artës është : Krijimi, zhvillimi dhe menaxhimi i kompanisë “Heath and Power Solicitors” që i dha mundësi të vinte në praktikë dëshirat e saj, të krijonte një kompani cilësore me eksperience, por edhe etike. Pyetjes se cili ka qenë çelësi i suksesit te saj, Arta shprehet në tre fjalë: pasion, punë dhe përkushtim.
Arta beson se çelësi i suksesit të saj, është pasioni për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dëshira që drejtësia ligjore të jetë në dispozicion të njerëzve dhe të udhëheqë funksionimin e shtetit. E kur këto ligje nuk janë të drejta, të japi kontributin e saj, për ndryshimin e atyre ligjeve e praktikave, që kanë efekt negativ tek njerëzit, shoqëria dhe individi.
Është ky pasion që e motivoi Artën të mbarojë studimet pasuniversitare, është ky pasion që e bën atë të punoj e lexojë çdo ditë, që këshilla ligjore që ajo jep, të jetë e saktë dhe informative, duke mundësuar kështu që klientët e saj të mund të marrin vendimet e duhura për vete.
Pyetjes se çfarë është atdheu për Artën ajo thotë se : “…..është pjesë e imja, ashtu siç jam dhe unë pjesë a tij. Atdheu për mua nuk është vetëm një pozicion gjeografik apo nostalgji e të kaluarës. Në një farë mënyre të gjithë shqiptarët jemi të lidhur reciprokisht në atë që ne ndjejmë si atdheu ynë dhe në atë që të tjerët përceptojnë si identiteti ynë. Atdheu është të gjithë ne, me gëzimet, hidhërimet dhe mbi të gjitha pasojat e vendimet tona, dje, sot e nesër….”
Në lidhje me bashkëpunimin e komunitetit shqiptar në Britani, ajo shprehet se ka pasur mundësi të punojë me grupe shqiptarësh dhe shumë shpesh, atë e emocionon ajo lidhja e natyrshme që gjuha dhe kultura e përbashkët sjell.
Jo rrallë ajo është frymëzuar nga shumë shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova, që mundohen “me mish e me shpirt”, të organizojnë komunitete shqiptare në pjesë të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo përgëzon të gjithë ata që kanë mundur të bëjnë këtë, pasi janë shembuj të pakrahasueshëm të ndihmës reciproke për të cilën të gjithë kemi nevojë.
Arta shprehet se i ka rënë rasti të njohë shumë shqiptarë me banim në Britani dhe e di që shumica punojnë shumë të arrijnë më të mirën për vete dhe familjet e tyre. Natyrisht që nuk është e lehtë ta bësh këtë kur i përket pakicës, flet me aksent dhe nuk ke të ardhurat e duhura për të mbështetur veten, fëmijët apo familjen tende.
Megjithatë , nganjëherë lufta për mbijetesë na bën të ‘humbasim rrugën’. Ajo që eksperienca e saj e ka mësuar është që ne nuk jemi kurrë vonë, “të vjetër apo të lodhur” për të studiuar, apo mësuar njohuri e zanate që ëndërrojmë. Duhet vetëm durim dhe përkushtim. Mund të jetë rrugë e gjatë por ia vlen.
“Udhëtimi im”- Klajdi Bregu: “Nëse ne heqim dorë nga inferioriteti dhe i besojmë më shumë njëri-tjetrit, do të ndikojë edhe në jetën në atdhe”
Kur ballafaqohej me racizmin grek ndërsa ishte student, mbase nuk e kishte menduar që një ditë do të ishte profesor...














