Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke kryer një operacion, por nuk ka dhënë detaje për natyrën e tij apo vendin se ku po realizohet.
“Zyra për informim e Policisë se Kosovës konfirmon se një operacion policor është duke u realizuar, mirëpo natyrën e operacionit pritet ta konfirmojmë pasi t’i kompletojmë informacionet zyrtare nga terreni”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, transmeton REL.
Mediat në Prishtinë raportojnë se operacioni ka në shënjestër persona të dyshuar për veprimtari radikale, duke përfshirë këtu edhe Shefqet Krasniqin, imam në Xhaminë e Madhe të Prishtinës. Këto njoftime nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet e rendit.
Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se këto informacione i ka marrë nga mediat dhe se nuk mund të deklarohet për më shumë detaje.
Në muajin gusht, policia ka arrestuar mbi 40 persona, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar.
Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Prishtinë, përfshirë presidenten Atifete Jahjaga, kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë që Kosova të shndërrohet në strehë grupesh radikale.
Jahjaga ka pranuar se radikalizmi islamik është një nga shqetësimet më të mëdha të Kosovës.
Të mërkurën, organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij ka shprehur shqetësim për gazetarin kosovar, Visar Duriqi, i cili është duke specializuar në Islamin politik, dhe i kanë bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të Kosovës që të sigurojë mbrojtje për të.
Duriqi ka marrë disa kërcënime me vdekje, përfshirë kërcënime për prerje të kokës, prejse ka treguar se si myslimanët e rinj indoktrinohen dhe binden për të shkuar në Siri për t’iu bashkuar grupeve xhihadiste.
Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës, të përfshirë në luftimet në Irak dhe në Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra të tillë.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për liritë fetare në botë, është thënë se në Kosovë ka pasur raporte për abuzim dhe diskriminim bazuar në besimin fetar.(rel)
Arrestohet Shefqet Krasniqi
Pos hoxhës Shefqet Krasniqi janë arrestuar edhe disa persona të tjerë. Aksioni është duke vazhduar në disa lokacione derisa policia aktualisht nuk ka konfirmuar asgjë për këto arrestime.
Shefqet Krasniqi është imam në Xhaminë e madhe në Prishtinë, xhamia kryesore e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që drejtohet nga Naim Tërnava. AI është po ashtu ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI), organ i BIK-ut.
Lajmin për aksionin e sotme i ka konfirmuar për gazetën Tribuna edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.
Nuk dihet ende për motivet e sakta të arrestimit të tij. Por emri i tij është përfolur në të kaluarën shpeshherë për nxitje të ekstremizmit islamik.
Javë më parë, Polica e Kosovës ka arrestuar më shumë se 40 të dyshuar për terrorizëm, nga të cilët para pak ditësh disa janë liruar për mbrojtje në liri, me detyrimin që të paraqiten në Polici.
Për ta ka dyshime se kanë marrë pjesë ose po tentonin t’i bashkoheshin grupeve terroriste islamike, si ISIS e Al Nusra, në Siri e Irak.
Kosova është në prag të miratimit të një ligji i cili dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me ngjyrime terroriste.
Ekstremizmi islamik është cilësuar si një rrezik global. Prandaj vendet demokratike u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve të botës që t’i bashkojnë forcat për ta parandaluar.