Arrestohet në Vlorë, personi që aksidentoi për vdekje me skaf në Himarë, turistin rus. Ai quhet Fatmir Kuçi, 44 vjeç nga Elbasani dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
Fatmir Kuçi i kaloi përsipër me skaf, turistit 43-vjeçar Denis Kaiumov kur po notonte 50 m larg bregut dhe helikat e goditën atë rëndë. Kaiumov e gjeti vdekjen në spitalin e Himarës, pasi u dërgua me urgjencë, ndërkohë që Kuçi u largua nga vendi i ngjarjes.
Policia e Vlorës njoftoi se Fatmir Kuçi, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në zonën bregdetare të quajtur “Livadh” i Himarës, duke drejtuar mjetin lundrues skaf-plastik me mbishkrimin “Black Arrow”, dyshohet se ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin rus D.K., i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra, në spitalin e Himarës.
Policia ka sekuestruar dhe konfiskuar 2 mjete lundruese në përdorim dhe në pronësi të Kuçit: skafin plastik “Black Arrow”, 11.73 m i gjatë dhe 3.20 m i gjërë, me 3 motorë – 275 KF secili dhe një motor deti me emrin “Viktoria-3”, pa dokumentacion përkatës.















