Kreu i SPAK, Arben Kraja ka dhënë detaje për operacionin e përbashkët Shqipëri-Itali që çoi në arrestimin e 28 personave për trafik droge.
Kraja tha se mes të arrestuarve janë prokurorë, punonjës policie dhe zyrtarë lokalë, të cilët kanë favorizuar bandat e drogës.
“Pati shkëmbim informacioni efektiv dhe të menjëhershëm që u pasua me ekzekutimin e 28 masave të sigurimit të dhëna nga Gjykata e Posoçme.
Është identifikuar gjithë zinxhiri I rrjetit të trafikut të drogës nga kultivimi I saj deri në trafikimin në Itali. Është provuar përfshirja e zyrtarëve në këtë aktivitet kriminal. Bëhet fjalë për prokurorë, policë, administrator të pushtetit lokal. Janë sekuestruar disa milionë euro pasuri. Kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Kraja gjatë konferencës së përbashkët me AntiMafian Italiane dhe Eurojust.
Në kuadër të këtij operacioni mësohet se është dhënë masa arrest shtëpie për shpërdorim detyre për prokurorin e Vlorës, Maksin Sota, ndërsa është ndaluar edhe ish-oficeri policisë në Vlorë, Festim Lelaj, i proceduar edhe në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri.



















