Matthias von Hein
“Armiku i armikut tim është miku im”. Kjo është një nga doktrinat e politikës reale. Pra sipas saj Irani duhej të ishte në fakt në listën e të ftuarve kur në Bruksel përfaqësues të rreth 60 shteteve me ftesë të SHBA të diskutojnë për qëndrimin e ardhshëm kundër Shtetit Islamik. Pasi edhe Irani lufton kundër ISIS-it. Mesa duket, madje me avionë lufte. SHBA-të kanë konfirmuar njoftime përkatëse në shtyp, ndërsa Irani i ka përgënjeshtruar ato. Edhe vetëm kjo tregon se në rërën lëvizëse të Lindjes së Mesme nuk është aq e lehtë sa sugjeron motoja e politikës reale. Atje, armiku i armikut tim, shumë shpejt mund të jetë edhe armik i mikut tim. Në rastin konkret, Irani vërtet ka të njëjtin armik të përbashkët me SHBA-të, me Perëndimin dhe me gjithë bashkësisë e shteteve, ISIS-in. Por Irani është edhe armiku i aleatëve të SHBA-ve, Izraelit dhe Arabisë Saudite. Në të njëjtën kohë Irani është miku i armikut. Konkretisht: Bashar al-Assadit, qe me ndihmën ruse e para së gjithash iraniane, vazhdon të qëndrojë në pushtet me të gjithë luftën civile në vend që prej dy vjetësh. Dhe: nganjëherë shtetet dikur mike bëhen armike.
Avionët me të cilët Irani thuhet se ka sulmuar pozicionet e IS, janë prodhime amerikane: F4-fantazmë iu livrua Iranit kur qeveriste ende Shahu, një mik i SHBA. Shumë flet për atë që Irani vërtet ka përdorur avionë për luftimin e milicisë xhihadiste. Prej vitesh Irani punon për shtimin e influencës së tij në Irak. Dhe gardat e revolucionit disponojnë një njësi speciale për misione jashtë vendit, brigadat Al Kuds. Shefi i tyre u fotografua jo më vonë se verën e kaluar në Irak. Shkaqet për angazhimin iranian janë të qarta. Përparimi i IS kërcënon ndikimin iranian në Irak. Veç kësaj milicia xhihadiste sunite kërcënon me shkatërrimin e vendeve të shenjta të shiitëve. Për Iranin e dominuar nga shiitët ky është një vizion i tmerrshëm. Pas pushtimit nga IS në qershor të qytetit të dytë më të madh irakian Mosul, u deshën dy muaj derisa SHBA u erdhi në ndihmë me sulme ajrore aleatëve të saj në Irak. Iranianët nuk u vonuan kaq shumë. Armët dhe këshilltarët ushtarakë të livruar shumë shpejt nga Irani, çimentuan në momentet e nevojës influencën e Teheranit në rajon. Presidenti i SHBA Barack Obama e ka kuptuar se në Lindjen e Mesme Irani nuk mund të anashkalohet – përballë vatrave të shumta të zjarrit në rajon, stabilitetit relativ të Iranit dhe ndikimit të Iranit tek fqinjët e tij. Në mes të tetorit Obama për këtë arsye i shkroi letrën e katërt tashmë, udhëheqësit më të lartë të Iranit, Ajatohallah Khamenei. Në letër Obama siguronte se sulmet ajrore të SHBA-ve nuk synonin as dobësimin e pozicionit të Iranit në rajon, dhe as goditjen e aleatit të Iranit, Assadit. Dhe: Obama fliste edhe për mundësinë e një bashkëpunimi në luftën kundër ISIS. Por kjo kishte si kusht një marrëveshje në zënkën për programin bërthamor të Iranit. Kjo marrëveshje për fat të keq nuk u arrit në fund të nëntorit.
















