Partia Demokratike publikoi emrin e një tjetër deputeti të mazhorancës, si person me të shkuar kriminale. Armando Prenga, sipas PD, rezulton të jetë dënuar jashtë vendit dhe për këtë arsye ai ka ndryshuar emrin. Këtë fakt PD e denoncoi si pjesë të një afere me Lagunën e Patokut, ku është i përfshirë deputeti Prenga. Sipas PD, kjo pasuri kombëtare i është dhënë vëllait të Armando Prengës me një tender të dyshimtë.
“Me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit të Edi Ramës, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh. Ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar. Dhënia e lagunës së Patokut, një prej pasurive kombëtare, vëllait të deputetit Armando Prenga, është padyshim thellimi i inkriminimit. Me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit të Edi Ramës, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh. Kemi këtu dokumentat që tregojnë se kompania e vëllait të deputetit Prenga ka dalë fituese, ndonëse është krijuar vetëm dy muaj më parë. Kështu, Armando Prenga për të cilin ka informacione për aktivitet kriminal në Itali dhe vende të tjera të Europës, me identitet të ndryshuar për shkak të problemeve me drejtësinë, po i forcon lidhjet me Edi Ramën përmes biznesit korruptiv dhe në kurriz dhe dhjetra peshkatarëve që mbanin familjet e tyre deri më sot me këtë aktivitet në Lagunën e Patokut. Ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar. Kjo është skema e inkriminimit në veprim dhe këtë po bën Edi Rama, me ndarje favoresh të majme me të inkiriminuarit që ka futur në administratë, në zyra, në partinë e tij e deri në parlament“, thuhet në denoncimin e PD.
Duke iu referuar këtij rasti, Partia Demokratike thotë se Rama po bën të kundërtën e dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve, ndërsa paralajmëroi anullimin e kontratës me ardhjen në pushtet. Prenga ka qenë disa herë protagonist aktesh të dhunshme në parament. Në shkurt të vitit 2011 ai goditi me grusht në sallën e seancave plenare Edi Palokën (video më poshtë), ndërsa në maj të 2014 –ës qëlloi me rrip në korridoret e kuvendit deputetin Gent Strazimiri. Disa media pranë PD –së shkruajtën dy ditë më parë se edhe Artur Bushi, deputet i PS në Krujë, rezulton të ketë qenë i dënuar në Itali për trafik droge.
















