Banorët e Verposhit dhe familjarë të patriotit Prek Calit protestuan dje pas shembjes nga policia të mureve të Kullës muze të Prek Calit.
“Kjo është vdekja e dytë që i ndodh Prek Calit dhe kullës së tij”, thanë banorët.
“Shqiptarë nga Amerika bënë të mundur mbledhjen e një fondi për të restauruar Kullën prej guri të patriotit të madh Prek Cali, për ta kthyer atë në një muze. Përpjekja e shqiptarëve në diasporë erdhi për të nderuar veprën patriotike të Prek Calit, që nga rezistenca e tij në fillimet e shtetit shqiptar, që bënë të mundur që Vermoshi të jetë pjesë e Shqipërisë, e deri në rezistencën e parë kundër komunizmit në Shqipëri, gjë për të cilën Prek Cali u ekzekutua.
Në mbështetje të tyre ishte edhe kryetarit i PD-së, Anton Kokaj. Ai mbështeti protestën e banorëve të Vermoshit duke e cilësuar aktin e policisë si ç’njerëzor duke përdhosur kujtimin e patriotit më të madh të zonës së Kelmendit,” thuhet në një njoftim të shpërndarë nga Partia Demokratike.
Kjo e fundit po e përdor antikomunizmin si një kartë politike në betejat e saj.
Edhe e përditshmja e PD-së hapej me çështjen e kësaj kulle.
Ndërkohë ka reaguar edhe deputeti i majtë, Tom Doshi, që është edhe i afërm i Prek Calit.
Ai premton rindërtimin e kullës.
“Siç jeni informu nga media, janë prish punimet që kishin fillu për rindërtimin e shpisë së Prek Calit në Vermosh… Në veçanti më vjen keq për mundin e komunitetit shqiptar të Amerikës që kontribun financiarisht për punimet që ishin ba deri dje dhe i kerkoj falje në emën të tane shqiptarëve.
Pikërisht, ata që do të duhej ta kishin mbrojtë shtëpinë e prijësit dhe të mbrojtësit të tokave shqiptare, heroit Prek Cali, e rrafshuen edhe atë që kishte mbetë në kambë.
Ky akt barbar turpnon ata që i kanë marrë votat malsorëve dhe tregon se urrejtja ndaj qëndrestarëve antikomunista si Prek Cali nuk ka fund.
Un i premtoj mbështetësve dhe bashkëqytetarëve te mij, se shtëpia e Prek Calit do të ndërtohet ashtu siç ka kene dikur, kurrkush nuk mund ta mposhtë kujtimin e atij burri të kombit. Un vetë si kushri i tij, si deputet dhe si qytetar, ju jap fjalën që shtëpia e Prek Calit do të ndërtohet trekatëshe për Vitin e Skënderbeut”.























