Artisti shqiptar, Anri Sala është shpallur fitues i çmimit “Vincent” për këtë vit. Ky çmimin është ndër më prestigjiozët për artin bashkëkohor në Evropë. Vepra e Salës titullohet “Le Çlash” dhe “Tlatelolço Çlash”, ndërsa në anën tjetër ka kombinuar dy filma me një punë tjetër, “Doldrums”, bateri që luhen automatikisht, si përgjigje ndaj një zëri me frekuencë të vogël si kolonë zanore. Sipas jurisë, Sala është vlerësuar për një punë poetike dhe në të njëjtën kohë një punë konceptuale me shumë mesazh. Fituesi është shpallur në një ceremoni që u zhvillua në Muzeun Gemeente në Hagë, ku është çelur edhe ekspozita e punimeve të krijuara nga pesë artistët e nominuar.
Sala nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni, por nëpërmjet një video-mesazhi shprehu falënderimet e tij. “Është gëzim i madh të jesh fitues, por është zhgënjyese që nuk munda të jem aty, për të festuar dhe për ta marrë çmimin personalisht. Kjo ngjan edhe më punën time, ku fotografia është në një vend, ndërsa zëri diku tjetër. Megjithëse uroj që të dyja, zëri dhe prania ime të ndihen nga të gjithë ju. Ju falënderoj të gjithëve për këtë çmim”, përfundoi ai. Ky çmim ndahet një herë në dy vjet dhe është themeluar qysh vitin 2000, duke synuar që të shpërblejë artistët, pasi puna e të cilëve influencon dhe zhvillimin e artit bashkëkohor në Evropë. Shuma me të cilën vlerësohet artisti është 50 mijë euro.
“Le Clash”
Në videon “Le Clash” (Përplasja), shfaqet një burrë, në skajet periferike të një qyteti, i cili dëgjon këngën e grupit të famshëm muzikor të pank-rrokut, “The Clash”, “Should i stay, or should i go?” (Të rri apo të iki?). Diku aty pranë, një burrë tjetër dhe një grua, shtyjnë një qerre, e cila mban një kuti muzikore, që luan të njëjtën muzikë. Gjithashtu, është edhe një instrument i tretë që luan të njëjtën muzikë: në një hollë të braktisur koncerti, ku “The Clash” luante muzikë në fillim të viteve ‘80. Mikrofonat ishin vendosur në brendësi të ndërtesës dhe muzika del më melankolike sesa versioni origjinal. “Le Clash” i Arni Salës, është një homazh i këngës “Should i stay or should i go?”. Është pothuajse një dramatizim i koncertit që grupi “The Clash” dha në atë ndërtesë vite më parë në Bordo. Pra shfaqja e braktisur e sheshit tregon se e ardhmja mbetet e paqartë, ashtu sikurse edhe “marrëdhënia” për të cilën flet kënga.
“Tlatelolco Clash”
“Tlatelolco Clash”, e transporton shikuesin në një vend të braktisur të artit modernist dhe në qoshkat përreth “Sheshit të tri kulturave”, që ndodhen në Tlatelolco të Meksikës, vende që sipas Anrit simbolizojnë dështimin e një ideologjie të madhe. Imazhet që ai sjell shoqërohen nga fragmente të këngës “Should i stay or should i go” të grupit “The Clash”. Në “Tlatelolco Clash”, shihen disa personazhe që luajnë muzikë përmes kutive të muzikës, që janë instrumente me cilindra, dhe muzika luhet përmes rrotullimit të cilindrave përmes manivelave.
Secili nga personazhet, e rrotullon manivelën e kutisë muzikore sipas ritmit dhe shpejtësisë që pëlqen, duke krijuar kështu varietete të ndryshme të këngës “Should i stay or should i go”. Dy punimet e Anrit, janë të lidhura me një punim të tretë, që titullohen “Doldrum”, e cila i referohen një zone në Antlantik, ku ka shpesh stuhi dhe erëra të forta, dhe që quhet “Doldrums”. Anijet që ankorojnë në atë vend, mund të qëndrojnë për ditë ose javë të bllokuara për shkak të kushteve atmosferike.
Bio
Ka lindur në Tiranë vitin 1974. Jeton dhe punon në Paris. Studimet që nis në Akademinë e Arteve në Tiranë, nuk arrin t’i përfundojë, duke nisur aventurën si i panjohur në botën e artit perëndimor. Sala përgjatë gjithë kësaj kohe ka përfaqësuar Shqipërinë në ekspozitat ndërkombëtare siç ishte rasti i “Beautiful strangers“, në Berlin, apo një nga sukseset më të mëdha të tij si artist, çmimi i të rinjve që fitoi në Bienalen e Venecias me vidion “Njeriu i katedrales“ dhe më pas me bienalen e Tiranës. “Është befasues në çdo projekt të ri që sjell”, është shprehur Edi Muka. “Që ai është artist shqiptar kjo duket te veprat e atij, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë lidhje me prejardhjen e tij me mbrujtjen e tij kulturore, me të qenit e tij shqiptar dhe në një farë mënyre mishërojnë trajtimin e tematikave bashkëkohore përmes bagazhit kulturor territorial që ai ka nga Shqipëria.

















