Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtare e komisionit për legjislacion dhe gjyqësi, ka kërkuar të shtunën që Dragan Velkoviq, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të shkarkohet nga kjo pozitë, pasi ai është kandidat për deputet i partisë së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq për Kuvendin e Serbisë.
“Dragan Velkoviq, tani anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi i aparteidit PDK-LDK në Kuvendin e Kosovës, qenka edhe kandidat për deputet në listën çetnike të Vuçiqit! Ky person i cili ishte pjesë e aparatit të dhunshëm i instaluar nga Millosheviqi, është zgjedhur pas pazareve nga PDK-LDK dhe Srpska”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.
“Tallja dhe shpërfillja që Serbia po i bën Republikës së Kosovës duhet të ndërpritet. Ky poltron i kastës së Vuçiqit dhe njëkohësisht aleat i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nuk duhet të jetë as edhe një çast anëtar i KGJK-së”, ka thënë Haxhiu.
Përvec shkarkimit, Haxhiu kërkon që Velkoviq të ndiqet edhe penalisht.
“Ky person jo vetëm që duhet të shkarkohet menjëherë nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, por i njëjti duhet të ndiqet penalisht për prezantim të rrejshëm dhe legalizim të përmbajtjes së rreme”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka thënë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk lejon që anëtarët e KGJK-së të kryejnë çfarëdo detyre në cilëndo parti politike apo në çfarëdo organizate e aforumi të lidhur me ndonjë parti politike
















