Analizat mjekësore kanë konfirmuar përdorimin e lëndës narkotike nga autori i vrasjes së katërfishtë në lokalin e muzikës live në Tiranë, Kostandin Xhuvani.
Sipas gazetës “Panorama” në dosjen e dorëzuar në gjykatën e Tiranës, të martën më 19 nëntor 2014, ndodhen edhe analizat e urinës së 25 vjecarit të arrestuar me akuzën e ‘vrasjes në rrethana të cilësuara ndaj më shumë se dy personave”. Nga të dhënat e konfirmuara mësohet se të akuzuarit për masakrën në lokal pas arrestimit i janë marrë vetëm mostra të urinës dhe jo të gjakut, dhe nga analizimi i mostrave ka rezultuar se janë gjetur elemente që provojnë përdorimin e lëndëve narkotike nga personi i dyshuar.
Por sipas gazetës “Panorama”, prokuroria në kërkesën e saj për gjykim nuk e ka bërë publik këtë fakt, i cili ndodhet në dosjen e dorëzuar në gjykatën e Tiranës. Sipas organit të akuzës, përdorimi i lëndës narkotike nga i arrestuari për katër vrasje, vetëm sa e rëndon pozitën e tij penale.
I pandehuri Kostandin Xhuvani akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Gjyqtar i ceshtjes është caktuar Sokol Tona.















