Guvernatori i qytetit Sirian, Homs, ka thënë se sulmi ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shkaktuar viktima në një fshat afër bazës ajrore al-Shayrat.
Burime të Reuters, që citojnë stacionin televiziv libanez, al-Maydeen, thonë se sulmi ajror ka lënë të paktën pesë të vdekur dhe shtatë të plagosur.
Çka dimë deri tani
◕ Amerika ka nisur një sulm raketor ndaj Sirisë, më saktësisht ndaj bazës ajrore al-Shayrat afër Homs, nga besohet të ketë pasur burimin sulmi me gaz nervor sarin në Khan Sheikhun.
◕ Pentagoni ka thënë se 59-të raketa Tomahawk janë lëshuar nga luftanijet USS Ross dhe Porter në Mesdhe, në orët e para të së premtes, sipas kohës siriane.
◕ Raporte të pakonfirmuara thonë se baza ajrore ushtarake afër Homs është shkatërruar dhe një pjesë e personelit të saj është vrarë. Po ashtu thuhet se zyrtarët e lartë e kanë lënë bazën para se të ndodhte sulmi ajror.
◕ Donald Trump ka thënë se sulmi ishte përgjigje direkte ndaj përdorimit të armëve kimike nga Siria, që të vdekur lanë më shumë se 70 persona.
“Sonte kam urdhëruar një sulm ushtarak mbi lokacionin nga ku e kishte burimin sulmi kimik në Siri. Është në interes të sigurisë së SHBA-së që të parandalojë shpërndarjen e përdorimit të armëve kimike. Nuk ka dyshime se Siria ka përdorur armë kimike, duke shkelur konventët për to, dhe injoruar kërkesat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përpjekjet disavjeçare për ta ndalur Assad-in kanë dështuar keq”.
◕ Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillersen, ka thënë se sulmi nuk ndërron politikën e Amerikës ndaj Sirisë, megjithëse ka pasur lëvizje nga pozicionit qëkur u instalua administrata Trump.
◕ Rusia ka reaguar ashpër, me Kremlinin zyrtar që thekson se ky sulm do të dëmtojë ashpër raportet e SHBA-së me Rusinë.
◕ Tillerson ka thënë se Rusia ka përgjegjësi për keqmenaxhimit e situatës dhe për shkeljen e marrëveshjes për mospërdorim të armëve kimike, të vitit 2013.
“Rusia ishte garant se këto armë nuk do të përdoreshin në Siri. Është e qartë se Rusia ka dështuar që ta përmbushë këtë përgjegjësi. Ose ka bashkëpunuar, ose nuk ka pasur aftësinë për ta përmbushur këtë akord”.
◕ Tillerson ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë diskutimi me Moskën para ndërmarrjes së sulmit.
◕ Por Pentagoni e ka konfirmuar se Rusia ka qenë e informuar më herët në kanale ushtarake.
“Forcat ruse janë informuar paraprakisht për sulmin, përmes linjave ushtarake”.
◕ Pentagoni ka thënë se sulmi ka dëmtuar rëndë flotën ajrore siriane dhe infrastrukturën e saj.
◕ Sulmi amerikan menjëherë ka marrë përkrahjen e Britanisë së Madhe, Australisë, Izraelit, Turqisë dhe Arabisë Saudite, ndërsa Irani i ka kundërshtuar ashpër këto sulme.
https://www.youtube.com/watch?v=1FuyTEzRBkc?feature=oembed&w=640&h=360
“Irani dënon fuqishëm sulmet e tilla të njëanshme … masa të tilla do të forcojnë terroristët në Siri … dhe do të komplikojnë situatën në Siri dhe në rajon”, agjencia iraniane e lajmeve ISNA citon të ketë thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme të këtij vendi Bahram Qasemi, transmeton Klan Kosova
Pentagoni ka publikuar pamjet e para të sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake siriane të presidentit Bashar al Assad.
SHBA ka kryer një sulm me raketa kundër një baze ajrore në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të të dyshuar me armë kimike në provincën Idlib.
Zyrtarë të Pentagonit kanë deklaruar se 59 raketa Tomahawk kanë goditur territorin sirian, më saktësisht bazën ajrore Sharyat në qendër të provincës së Homs.
Në një fjalim televiziv, presidenti amerikan Donald Trump tha se baza ishte pika nisjen për sulmin kimik.
Ai i bëri thirrje “të gjitha kombeve të qytetëruara” që të ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.
Duke folur nga Mar-a-Lago e Floridas, Trump quajtur presidentin sirian Bashar al-Assad një “diktator” që kishte “nisur një sulm të tmerrshëm me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm”.
Trump tha se ai kishte vepruar në “interes jetik të sigurisë kombëtare” të Amerikës për të parandaluar përdorimin e armëve kimike.
Dhjetëra civilë, duke përfshirë shumë fëmijë, vdiqën në sulmin e dyshuar me gaz nervor të martën në qytetin e Khan Sheikhoun në provincën Idlib.
Source: aktualitet lajmi.net























