Ambasadori amerikan Baily tha se “vendimi i presidentit Ivanov është në kundërshtim me parimet themelore demokratike dhe sundimit të ligjit, që janë vlerë thelbësore e NATO-s”
SHKUP – Ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Jess Baily, në një konferencë për media të mbajtur para ndërtesës së Info-Qendrës së Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, kërkoi nga presidenti Gjorge Ivanov, të rishqyrtojë vendimin e djeshëm për mosdhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, raporton Anadolu Ageny (AA).
Ambasadori pas deklaratës së tij u drejtua për në takim me ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Baily u shpreh se SHBA-të u zhgënjyen kur mësuan se presidenti Ivanov refuzoi, siç tha ai, shumicën e qartë parlamentare për të formuar qeverinë e re.
“Si partner strategjik dhe një mik i Maqedonisë, me respektim të plotë të sovranitetit dhe unitetit të Maqedonisë kërkojmë nga presidenti Ivanov ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga fqinjët e Maqedonisë të tregojnë kujdes dhe të jenë konstruktiv në këto momente të politikave të ndjeshme në vend”, deklaroi Baily.
Ambasadori Jess Baily theksoi se “vendimi i presidentit Ivanov është në kundërshtim me parimet themelore demokratike dhe sundimit të ligjit, që janë vlerë thelbësore e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov refuzoi t’i jap mandatin liderit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, i cili dy ditë më herët i dorëzoi dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, me nënshkrimin e 67 deputetëve të partisë së tij, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët.
Presidenti Ivanov deklaroi se, “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocionon për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e saj”.
Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.























