Ambasadori italian në Prishtinë, Nicola Orlando, u ka bërë thirrje kosovarëve që të jenë të kujdesshëm nga COVID-19, për të shmangur gjendjen me të cilën u përball muaj më parë vendi i tij.
Në një reagim “Twitter”, Orlando shkroi se Kosova mund të shmangë situatën ku ushtria duhet të merret me varrimin e viktimave, duke respektuar masat mbrojtëse.
“Derisa koronavirusi po përhapet shpejtë në Kosovë, më kanë thënë se një e treta e qytetarëve e mohojnë atë ose minimizojnë ndikimin e tij. Në fazën më të vështirë në Itali, ushtria ishte thirrur për të përballur me numrin marramendës të viktimave që duhej varrosur. Ne mund ta shmangim atë. Mbani maskë. Ruajeni distancën. Lani duart”, ka shkruar ambasadori italian.
Kosova po përballet me gjendje të rënduar në luftën ndaj COVID 19, pasi vetëm nga e hëna e kaluar 92 persona me këtë sëmundje kanë humbur jetën, derisa totali i të vdekurve ka arritur në 269.




















